Pretendimi: Presidenti amerikan Trump i ka dhënë presidentit ukrainas Zelensky 30 ditë për të dorëzuar listën e klientëve VIP të adrenokromit

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet pretendimi se presidenti amerikan Trump i ka dhënë presidentit ukrainas Zelensky 30 ditë “për të dorëzuar listën e klientëve VIP të adrenokromit.”

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë dokument, ndonjë citat të Trump mbi çështjen apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 3 mars në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Artikulli i The People’s Voice, si zakonisht, nuk ofron asnjë lloj prove për këtë pretendim të pazakontë, por vetëm citon “njerëz të brendshëm”. 

Në të njejtën mënyrë, duke mos ofruar asnjë provë apo burim veçse “njerëzve të brendshëm” anonimë, The People’s Voice ka botuar një numër artikujsh me pretendime të pazakonta përfshi pretendimin se WEF ka udhëzuar liderët botërore të vendosin ligje të “Moshës së Vdekjes”, WEF po përpiqet të vrasë politikanin rumun Calin Georgescu, dhe se presidenti rus Vladimir Putin ka ekspozuar shpërblimin prej 45 miliardë dollarësh nga WEF për kokën e Donald Trump.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.

Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.