Pretendimi: Task Forca Chemtrails e Trumpit shkatërron Operacionin Federal, fillon ndjekjen penale të shefave të spërkatjes
Verdikti: E paprovuar
————————————
Në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se “Task Forca Chemtrails” e krijuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur të ndjekë penalisht krerët e ‘operacioneve të spërkatjes’.
Pretendimi është pjesë e teorisë konspirative të kemtrajleve (chemtrails). Kjo teori konspirative pretendon se qeveritë apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të spërkatur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.
Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një artikull të botuar më 13 prill në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Artikulli i The People’s Voice, si zakonisht, nuk ofron asnjë lloj prove për këtë pretendim të pazakontë, por vetëm citon “njerëz të brendshëm”.
Në të njejtën mënyrë, duke mos ofruar asnjë provë apo burim veçse “njerëzve të brendshëm” anonimë, The People’s Voice ka botuar një numër artikujsh me pretendime të pazakonta përfshi pretendimin se WEF ka udhëzuar liderët botërore të vendosin ligje të “Moshës së Vdekjes, WEF po përpiqet të vrasë politikanin rumun Calin Georgescu, dhe se presidenti rus Vladimir Putin ka ekspozuar shpërblimin prej 45 miliardë dollarësh nga WEF për kokën e Donald Trump.
Deri më tani nuk ka prova që mbështesin ekzistencën e ndonjë “Task Force Chemtrails” krijuar nga administrata e Trump. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga administrata Trump apo ndonjë media e besueshme që mbështet ekzistencën e një task force të tillë.
Një kërkim i thjeshtë në rrjet tregon gjithashtu se ky togfjalësh nuk është përdorur ndonjëherë në ndonjë faqe apo njoftim zyrtar nga qeveria amerikane apo shqiptuar ndonjëherë nga Trump. Të vetmet rezultate që përdorin këtë frazë i referohen artikullit të mësipërm nga The People’s Voice.