Pretendimi: Valët e teknologjisë 5G aq të forta sa hapin shishet e shampanjës
Verdikti: Mungon konteksti
Vjolanda Peca
Alfred Cako është një figurë e njohur në sferën e teorive konspirative në Shqipëri. Me një ndjekje të gjerë në rrjetet sociale, ai ndan teori që shpesh sfidojnë opinionet publike të pranuara dhe ngjallin debat. Një nga teoritë më të fundit që ka ndarë në Facebook është e lidhur me një video ku pretendohet se valët 5G të celularëve mund të hapin tapën e një shisheje shampanje. Ky brez i ri transmetimi i telefonisë celulare shihet me dyshim nga grupe konspiracionistësh.
Në mbishkrimin e videos ai ka shkruar:
“Efekti 5G. Idiotët janë të gëzuar se dhe tapën e shampanjës tash do e hapin me teknologji”.
Pas verifikimeve të Faktoje del që kjo video nuk është në të vërtetë ashtu siç thuhet në përshkrimin e Alfred Cakos, por është një truk magjik i magjistarit ‘Ryan Tricks’ e shpërndarë në kanalin e tij.
Ryan është një magjistar që bën truke magjike të sofistikuara prej disa vitesh tashmë dhe versionin më të gjatë të kësaj videoje e ka shpërndarë në kanalin e tij të YouTube.
Teksa shohim videon do të vëmë re që shishja nuk u hap për shkak të frekuencave 5G ose elektromagnetike.
Në video, nuk ka asnjë provë që të tregojë përdorimin e një çipi apo ndonjë teknologjie të avancuar për të hapur shishen e shampanjës. Hapja e shishes nuk lidhet me përdorimin e frekuencave 5G apo elektromagnetike, por është thjesht një iluzion magjik. Truket e magjistarëve shpesh krijojnë iluzione që duken si të pamundura, por në realitet janë rezultate të teknikave dhe manipulimeve të afta manuale.
Ndaj figurave polemike që përdorin teoritë konspirative për të ndërvepruar me audiencën, është e rëndësishme të mbajmë një qasje kritike dhe të verifikojmë informacionet përpara se t’i pranojmë ato si të vërteta.