Hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas vijon të jetë kantier ndërtimi prej katër vitesh, ende larg përfundimit. Pavarësisht premtimeve, deri tani është përfunduar vetëm 86% e veprës. Punimet për stacionet sapo kanë nisur dhe elektrifikimi ende nuk ka kontratë. Me këto ritme, treni elektrik pritet të nis operimin në fund të 2026.

Esmeralda Topi

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, projekt i nisur katër vite më parë, vijon të jetë kantier ndërtimi. Pavarësisht premtimevenjëpasnjëshme nga zyrtarë të lartë, afatet për përfundimin e veprës hekurudhore janë tejkaluar disa herë.

Treni elektrik që do të lidhë Tiranën me Durrësin dhe Rinasin ende nuk është gati për udhëtarët. Linja hekurudhore që planifikohej të ishte gati brenda verës së vitit 2023, është me të paktën tre vite vonesë.

Afati i ri sipas ministres së infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku është pranvera e vitit të ardhshëm. “Të gjithë komponentët së bashku do të jenë të përfunduar në pranverën e vitit 2026 duke na dhënë kështu mundësinë e fillimit të një transporti totalisht të ri, transportit modern të hekurudhës”, deklaroi Balluku, një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Burimi: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Fakt

Informacionet zyrtare të Hekurudhës Shqiptare tregojnë se edhe ky afat do të shkelet. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al Hekurudha Shqiptare pohon se deri më tani janë realizuar 86% e punimeve duke përfshirë këtu dhe ndërtimin e trasesë së re prej 5 km në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Këto punime pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti, me një vonesë të konsiderueshme nga afatet e mëparshme.

Paralelisht me këto punime, këtë qershor, ka nisur puna në terren në një tjetër komponent kyç të projektit, siç është ndërtimi i godinave të stacioneve hekurudhore dhe sistemimi i shesheve përreth. Godinat e stacioneve të vjetra po shemben për t’i hapur rrugën ndërtimit të stacioneve të reja. Sipas kontratës, këto punime planifikohen të mbyllen në mesin e vitit 2026.

Një tjetër pikë strategjike e projektit është stacioni fundor i linjës pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Stacioni do të ndërtohet përballë Forcave të Armatosura Ajrore, por deri tani është realizuar vetëm ndërtimi i trasesë së re hekurudhore që çon drejt zonës së aeroportit. Ndërtimi aktual i vetë stacionit nuk ka nisur ende.

Po ashtu, një nga pjesët më kritike të projektit, elektrifikimi i linjës, nuk ka nisur. Tenderi ndërkombëtar për këtë kontratë pritet të hapet në fund të këtij viti, ç’ka nënkupton se punimet për elektrifikimin mund të fillojnë duke nisur nga viti i ardhshëm.

Kur do udhëtojmë me trenin e ri?

Në përfundim, operimi i shumëpritur i trenit elektrik Tiranë- Durrës-Rinas, parashikohet të nisë jo më herët se fundviti i 2026.

Sipas planifikimeve zyrtare, Hekurudha Shqiptare parashikon se në fund të vitit 2026, të tria kontratat që përfshijnë trasenë, godinat dhe elektrifikimin do të jenë përfunduar, duke i hapur rrugën për operimin e trenit më shpejtësi 120 km në orë.

Treni elektrik pritet të shkurtojë në 22 minuta distancën mes Tiranës dhe Durrësit. Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe një kredi e marrë nga qeveria shqiptare pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Fillimisht, kosto e projektit ishte parashikuar 69,6 milionë euro, por deri më tani, fatura e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas ka shkuar deri në 110 milionë euro.

Rrjeti hekurudhor në Shqipëri

Në Shqipëri, gjatësia e rrjetit hekurudhor llogaritet 253 km, por në shfrytëzim janë vetëm katër linja hekurudhore, të cilat përfshijnë edhe transportin e mallrave.

  • Kufi – Gjorm 93 km
  • Durrës – Elbasan 76 km
  • Rrogozhinë – Fier 49 km
  • Fier – Vlorë 35 km

Hekurudha shqiptare dikur ishte një nga mjetet kryesore të transportit për qytetarët, veçanërisht gjatë periudhës së regjimit komunist, kur alternativat e lëvizjes ishin të kufizuara. Me ardhjen e demokracisë, rrjeti hekurudhor filloi të degradohej për shkak të mungesës së investimeve, keqmenaxhimit dhe konkurrencës në rritje nga transporti rrugor. Ajo që dikur ishte një linjë funksionale dhe e përdorur gjerësisht, sot ka mbetur një relike në rrënoja. Këtë panoramë degradimi e pasqyrojnë qartë të dhënat zyrtare të INSTAT. Nga afro 190 mijë pasagjerë që udhëtuan me tren në vitin 2015, në vitin 2024 u regjistruan vetëm 7,740, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti, numri i udhëtarëve me tren ka rënë në vetëm 577 pasagjerë. Në më pak se një dekadë, numri i pasagjerëve me tren ka rënë me mbi 95%.

Burimi: INSTAT

Përfundim

Me ritmet aktuale dhe vonesat në të tre komponentët e projektit, linja hekurudhore Tiranë- Durrës- Rinas pritet të përfundojë në fund të vitit 2026. Ndaj, deklaratën e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku se të gjithë komponentët e kësaj linje do të jenë të përfunduar në pranverën e vitit 2026, e kategorizojmë të pavërtetë.