Nevila Gjata
Ka zgjatur rreth tre orë shqyrtimi i dy kërkesave të deputetëve të PD-së (1/10 dhe më pas 1/5 e firmosur) në Gjykatën Kushtetuese (për mandatin e deputetes së PS, Olta Xhaçka) kur secila prej palëve në seancë, kërkuesi i përfaqësuar nga Gazment Bardhi, pala e interesuar (Kuvendi) përfaqësuar nga avokatja Artemida Hoxhaj dhe avokati, Genci Çifligu, i përfaqësuar me prokurë nga deputetja Olta Xhacka, parashtruan argumentet e tyre pro dhe kundër para pyetjeve të shumta të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në thelb, deputetët firmëtarë të opozitës përfaqësuar nga Gazment Bardhi kundërshtuan vendimin e Kuvendit “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin e këtij vendimi si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Mocioni i grupit të PD-së lidhej me ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka.
Bardhi kërkoi në seancën e sotme (e premte 21 qershor) zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe subjektit kushtetues në konflikt, (jo më pak se 1/10 e deputetëve), sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (në këtë rast e një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi.
Bardhi argumentoi se si pasojë e këtij konflikti kushtetues grupi parlamentar i PD kërkonte nga Gjykata Kushtetuese të bënte edhe një interpretim përfundimtar të neneve 70, pika 1 dhe 4; 73, pika 1; dhe 132, pika 1, të Kushtetutës, duke individualizuar edhe përgjegjësinë e deputetëve në rastet kur pengohet zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne kemi çmuar që kjo Gjykatë ka përgjegjësinë t’i bëjë me dije Kuvendit atë që e di edhe një student i vitit të parë të Juridikut që e drejta e deputetit për të mos mbajtur përgjegjësi ndaj votës nuk shtrihet ndaj injorimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese sepse nëse kjo do të ndodhte do të ishim në anarki. I vetmi që mundëson paqen sociale është Kushtetuta…”, tha ndër të tjera Gazment Bardhi.
Ai e kanalizoi argumentimin në një çështje parimore me karakter proceduarial kushtetues dhe jo politik (edhe pse kërkonin heqjen e mandatit të Olta Xhackës) kur tha se i takon Gjykatës Kushtetueses më shumë se askujt që të mbrojë autoritetin e vendimeve të veta.
Bardhi tha se me miratimin e atij raporti nga PS “nuk mund të sfidohej autoriteti dhe dinjiteti i Gjykatës Kushtetuese” .
Përfaqësuesja e Kuvendit, avokatja Artemida Hoxhaj përcolli në mënyrë lineare argumentet e saj bazuar dy neneve të Kushtetutës, nenit 73 se deputeti nuk mbante përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna, dhe nenit 70 po të Kushtetutës se deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
Ajo tha se Kuvendi, ndryshe nga sa pretendonte pala tjetër, e kishte zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa kohe që deputetët ishin vënë në lëvizje qysh me Këshillin e Rregullores e deri tek seanca dhe në fund kishin dale në përfundimin se nuk plotësoheshin kriteret formale për ta çuar mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo që tërhoqi vëmendjen nga qëndrimet e deklaruara dhe të njohura edhe më herët ishin pyetjet konkrete që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese adresuan kryesisht ndaj Kuvendit për të kuptuar më tej shumëçka se mbi çfarë argumentesh në thelb kishin votuar deputetët e shumicës
Disa nga pyetje-përgjigjet
Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllari e pyeti drejtpërdrejt palën e Kuvendit se në raportin që ka miratuar shumica thuhet ndër radhë se kjo ishte një çështje në vlerësim të deputetëve me argumentin e nenit kushtetues se ata përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat tjetër detyrues.
Xhaferllari: Në vlerësimin tuaj deputeti i nënshtrohet Kushtetutës dhe mënyrës se si interpretohet Kushtetuta nga Gjykata Kushtetuese apo edhe kuadrit ligjor në fuqi?
Hoxhaj: Sigurisht që deputeti i nënshtrohet parashikimeve kushtetuese dhe interpretimeve të tyre të bëra nga Gjykata Kushtetuese dhe në rastin konkret nuk ka pasur kompetencë Këshilli për Rregulloren lidhur me dërgimin ose jo në Gjykatën Kushtetuese kanë qenë deputetët e Kuvendit dhe kanë qenë ata të cilët kanë vlerësuar se nuk plotësohen kushtet për ta çuar në Kushtetuese. Dhe këtë kontroll e kanë bërë në vlerësim të qëndrimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Përgjigja solli një pyetje të dyte nga Xhaferllari.
Xhaferllari: Nëqoftëse deputeti kryen vepër penale mban përgjegjësi penale, nëse kryen një kundravajtje administrative merr gjobë, pra i nënshtrohet përgjegjësisë administrative, kështu që rrjedhimisht pika një e nenit 70 kur thotë se nuk ka mandat tjetër detyrues nënkupton që është në vlerësimin e tij zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka diskrecion ai?
Hoxhaj: Ai ka diskrecion përsa i ka lejuar Kushtetuta dhe gjykata Kushtetuese në rastin konkret ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili ka lejuar Kuvendit diskrecion për të kontrolluar formalisht nëse plotësohen apo ajo kushtet për të pranuar mocionin
Xhaferllari: Atëherë si e shpjegoni ju që në një pikë të raportit thuhet se Gjykata Kushtetuese në vendimin e vitit 2023 (që është vendim për znj,Xhacka) vlerëson se në cdo rast kur paraqitet një mocion nga një e dhjeta e deputetëve apo kryetari i Kuvendit, Kuvendi është i detyruar t’ia dërgojë cështjen gjykatës Kushtetuese, ndërkohë thotë shumica neni 70 pika një e Kushtetutës parashikon që mandati i deputetit nuk është detyrues c’ka nënkupton të drejtën e deputetit të ndjekë bindjen e tij ose të saj?
Hoxhaj: Ky është mendimi që kanë mbajtur anëtarë të caktuar në Këshillin e Rregullores nuk është vlerësimi dhe as mendimi që kanë mbajtur deputetë të Kuvendit të Shqipërisë në seancën plenare kur kanë votuar për çështjen konkrete, organi që vendos për këtë çështje është Kuvendi dhe jo Këshilli për Rregulloren
Xhaferllari: Pra ky është një qëndrim personal i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Ermonela Felaj, Bledi Cuci, Klotilda Bushka dhe Xhemal Qefaliaj dhe nuk përfaqëson të tjerët?
Hoxhaj: Po
Xhaferllari: Në kuadrin e parimit të shtetit të së drejtës dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Kushtetutës ju lutem me jepni një opinion tuajin mbi këtë fjali të Këshillit ku thuhet se Këshilli mori në shqyrtim këto vendime, Këshilli kreu një proces shterues dhe ndër të tjera caktoi ekspertë konstitucionalistë…, i gjithë raporti ka në përmbajtjen e tij komente mbi qartësinë e arsyetimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese madje ka vlerësime që vendimet e Kushtetueses kanë devijuar nga teksti kushtetues, keni ju një vlerësim tuajin?
Hoxha: Interpretimi shterues ishte për vendimet e Gjykatës Kushtetuese se cilat ishin detyrimet e tyre si deputetë apo si Këshill lidhur me qasjen që duhet të kishin për zbatimin e këtyre vendimeve…
Xhaferllari: A është korrekte me Kushtetutën që vendimet e Gjykatës Kushtetuese për një cështje konkrete që përmbajnë një detyrim konkret të vihen në diskutim, të vlerësohen dhe të etiketohen në atë mënyrë sic është në raport?
Hoxhaj: Në vlerësimin tonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë marrë në analizë dhe Kuvendi i ka zbatuar ato…
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj vijoi më tej logjikën juridike kur e pyeti ne cilësinë e publikut se si kontrollohet pajtueshmëria apo papajtueshmëria e mandatit të deputetit.
Zaçaj: Ku e kuptoj unë si publik që kërkesa për mocion e pakicës, cilat janë kushtet për të cilat nuk bie dakord shumica? Do të doja që të merrnit raportin dhe të më tregonit në raport arsyet, meqënëse deputetët kanë votuar raportin?
Hoxhaj: Populli nuk duhet t’i marrë vesh arsyet nga Këshilli i Rregullores sepse nuk është vendimmarrës Këshilli për Rregulloren vendimmarrës është Kuvendi
Zaçaj: Edhe njëherë nuk kërkoj mendimin tuaj, po ju bëj një pyetje korrekte merr raportin dhe më tregoni arsyet sepse deputete e Kuvendit votojnë raportin i cili nuk ka arsye…?!
Hoxhaj: Deputetët e Kuvendit pavarësisht se votojnë nuk janë të detyruar të ketë të njëjtin qëndrim me raportin
Zaçaj: Pyetja ime nuk është qëndrimi i deputetëve, unë pashë rendin dhe në rend të ditës ishte votimi i dy raporteve, unë deputeti që do jap këtë votë duhet të kuptoj se për çfarë po votoj të kuptoj arsyet ose ma tregoni ju…
Hoxhaj: Në raport evidentohet i gjithë procesi se cfarë ka ndodhur, deputetët kanë parë raportin dhe kanë bërë vlerësim, edhe sikur ne raport të jepeshin arsyet specifike sërish deputetët potencialisht mund të kishin qëndrime të ndryshme me raportin që kishin votuar
Zaçaj: Pra ju po thoni që kanë të drejtë të votojnë një gjë të ndryshme nga rendi i ditës?
Hoxhaj: Të votojnë raportin por kur e lexojnë se pse nuk do të duhet të pranohet mocioni janë të lirë të kenë edhe argumente të ndryshme nga ato të pasqyruara në raport sepse janë ata në fund të fundit që votojnë lidhur me dërgimin e mocionit nuk janë të detyruar nga vetë raporti
Nisur nga pergjigjet, Gazment Bardhi kundërshtoi me tej qëndrimet e palës që përfaqësonte Kuvendin.
Gazment Bardhi: Kuvendi nuk bën verifikim të kritereve formale të kërkesës sepse rregullorja e Kuvendit pra vetë deputetët ia kanë kaluar këtë kompetencë Këshillit të Rregullores dhe Mandateve. Në seancë plenare paraqiten dy raporte nëse ka dhe deputetët votojnë pro ose kundër njërit raport dhe jo dërgimit ose jo në Gjykatën Kushtetuese . Në seancë ka pasur një prezantim të raportit të pakicës dhe një shumicës dhe deputetët votojnë pro ose kundër njërit raport dhe jo dërgimit ose jo në Gjykatën Kushtetuese sepse këtë kompetence e ka sipas Rregullores, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve dhe raporti nuk është opinion personal i pesë firmetarëve por i 72 deputetëve që kanë votuar për të mos e çuar.
Në fund por shkurt foli edhe avokati i deputetes Olta Xhaçka, Genci Çifligu. Edhe pse kishte 20 minuta kohe ne dispozicion, ai nuk u zgjat shume ne argumentime sa kohe objekt debati ishte ekzekutimi ose jo i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi si dhe debatit nëse kemi konflikt kompetence ndërmjet 1/10 së deputetëve dhe Kuvendit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese
Ai mbështeti pretendimet e palës së Kuvendit dhe argumentoi gjere e gjatë se opozita nuk kishte paraqitur prova te qenësishme në kërkesën e saj për mocion lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës.
Trupa gjyqësore me pas u tërhoq për vendim.
Parlamenti votoi më 11 prill 2024 kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa e opozitës u rrëzua me 72 vota kundër të Partisë Socialiste në mazhorancë, përkundrejt 32 votave pro të deputetëve të opozitës. Prej më shumë se dy vjetësh, mandati i Olta Xhaçkës ka mbetur peng i debateve proceduariale mes Kuvendit, opozitës dhe Gjykatës Kushtetuese.
Lexoni edhe artikuj të tjerë lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.