.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingTransporti urban, “një luks i mohuar” për kryeqytetasit

Transporti urban, “një luks i mohuar” për kryeqytetasit

Ina Allkanjari

Në stacionet kryesore të kryeqytetit, duhet të presësh të paktën 30 minuta dhe të tregohesh “I shkathët” nëse do që të kapësh një vend në autobus. Shumë kryeqytetas kanë pohuar për Faktoje, se u duhet të presin gjatë e të udhëtojnë në kushte shumë të vështira për të kapur oraret e tyre të punës.  Shoqëritë e transportit publik kanë kufizuar numrin e autobusave në disa linja qëndrore të Tiranës prej disa javësh. Kjo ka sjellë që autobusët të mbushen plot, dhe të presin të paktën 30 minuta në stacion. Përfaqësuesi i Unionit të Transportit Publik, Dashnor Memaj tregon për Faktoje se edhe pse qeveria miratoi fondin prej 5 milion dollar për të parandaluar rritjen e çmimit të biletës së autobusave, si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit, ky sektor vijon të përballet me problematika të mbartuara që rëndojnë mbi qytetarët.

———————-

“Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit”.

Kështu deklaroi në datën 12 Mars kryeministri Edi Rama, teksa theksoi se qeveria shqiptare miratoi Paktën me 7 pika të rezistencës sociale. Ky vendim erdhi në një kohë kur vendi po përballet me rritjen e çmimit të karburantit, i cili u shoqërua me reagime nga përfaqësues të transportit publik.

Screenshot, Paketa e Rezistencës Sociale datë 12.03.2022

Në datë 15 Mars Faktoje ju drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Financës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndër të tjera ne kërkuam informacion se kur do të kaloje fondi prej 5 milionë dollar, a ka pasur ulje të frekuencës së autobusave ne kryeqytet dhe sa minuta është vonesa e tyre në disa prej linjave kryesore.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë datë 15.03.2022

Deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi një përgjigje nga institucionet e mësipërme.

Në një komunikim me përfaqësuesin e Unionit të Transportit Publik, Dashnor Memaj, Faktoje mësoi se çmimi i biletës së transportit urban qyetetas nuk do të rritet pasi fondi i miratuar nga qeveria është i mjaftueshëm për një periudhë 3-mujore.

Qeveria ka miratuar fondin prej 500 milionë lekë për strukturën e transportit, kjo vlerë është përcaktuar për transportin ubran qytetas dhe ndërqytetas. Pra çmimi i biletës do të qëndrojë i pandryshuar siç ka qenë edhe më herët, është mëse e mjaftueshme për një periudhë 3 mujore me vlerë 100 lekë për litër subvencioni për transportin. Shpërndarja do të bëhet mbi bazën e librit të blerjeve të naftës të deklaruar në muajt e vitit 2021, pra do të shpërndahet për secilin operator në bazë të deklarimeve që kanë bërë. Shpresojmë që pas tre muaj çmimi i naftës të bjerë që edhe ne mos të bëjmë rritje të çmimit të biletës”, tregon për Faktoje Memaj.

Më tej ai shprehet se ndonëse ky fond është miratuar ende nuk është akorduar në subjektet përkatëse, ndaj aktualisht përdorimi i flotave të autobusave nuk është ende 100%.

Foto 16 Mars, autobus i linjës Tirana e Re në Astir, i tejmbushur

“Vendimi ka dal në faqen zyrtare por fondi nuk është akorduar ende, jemi në pritje. Aktualisht flotat e atobusave janë në operim me aq fuqi sa kanë. Secili operator ka nxjerrë më shumë autobusa në krahasim me ditën kur ndodhi prostesta e madhe, kjo me shpresën që do të ketë subvencione dhe do të dalim nga kriza. 100% e flotës së autobusave nuk është bërë e mundur që realizohet që prej pandemisë, por secili operator pas këtij lajmi ka vendosur flotën në lëvizje duke e rritur me 20-30% në varësi të linjave. Në këto momente që flasim operatorët ende nuk kanë marrë asnjë pagesë, kur të akordohet fondi atëherë dhe do të operohet me përqindje më të lartë. Pa pasur lekë për të furnizuar mjetet me naftë është e vështirë”, u shpreh Memaj.

Foto 15 Mars, autobusë i Kinostudios i tejmbushur

Sipas përfaqësuesit të Unionit të Transportit Publik, një ndër arsyet e vonesës së autobusave nuk është vetëm numri i ulët i tyre por edhe mungesa e korsive të dedikuara.

“Rradha në autobusë ndodh pasi duhet korsi e dedikuar për të ndjekur internerarit. Pasi nëse autobusi vonohet 2 orë në trafik është e pamundur të shkohet në stacione me frekuenca të shpeshta.  Aktualisht mbi 70% e autobusave urban janë në operim. Në momentin kur reaguam dhe kërkuam subvencion në operim ishin 30-40% e flotës së autobusave në bazë të operatorëve, pra sa fuqi ekonomike kishte aq ishte dhe numri i flotave në qarkullim”, u shpreh Memaj për Faktoje.

Më datë 14 mars Faktoje shkoi në disa prej stacioneve kryesore të transportit urban në kryeqytet ku evidentuam vonesa në frekuencën e autobusave. Konkretisht në linjën e Porcelanit në zonën e 9-kaçeve, me dhjetra njërëz prej më shumë se 25 minuta ishin në pritje të autobusit.

“Kemi rreth 30 minuta që presim. U bë disa ditë që kjo linjë ka shumë vonesa. Duke qenë se vijnë shumë rrallë krijohet dhe mbingarkesë në autobusë. Janë plot nuk lëviz dot, është shumë e veshtirë të hipësh, të qëndrosh mes gjithë atyre njerëzve që shtyjnë njëri tjetrin dhe më pas të zbresësh në stacionin që duhet”, tregon për Faktoje një 50 vjeçare e cila ishte në pritje të autobusit të Porcelanit.

Foto 14 mars, qytetarë duke pritur autobusin e Porcelanit

Një tjetër qytetarë A.N. tregon se këtë linjë autobusi e përdor për të shkuar në punë dhe prej disa ditësh tashmë është e shqetësuar pasi i duhet të presë me minuta të tëra që autobusi të shfaqet në horizont.

“Unë shkoj në punë cdo ditë me autobusin e Porcelanit, jam detyruar disa herë edhe pse e kam punën larg të iki në këmb, sepsë vonohet shumë. Eci me shpresën se do e kap të stacioni tjetër. Këto ditë kanë qenë të tmerrshme, edhe kur vjen janë shumë të mbingarkuar, u harrua Covidi”, tregon qytetarja për Faktoje.

Foto 14 mars, qytetarë duke pritur autobusin e Porcelanit

Një tjetër linjë që verifikuam dhe qytetarët u shprehën të shqetësuar pasi çdo ditë duhet të prisnin të paktën 20 minuta në stacion, është linja Uzina Autotraktori.

“Kushte të tmerrshme, papastërti, puthemi me njëri tjetrin kur hipim në autobus, aq plot janë. Normal do mblidhen njerëz në stacion pasi autobusat e kësaj linjë janë shumë të rrallë, gjithmonë vonohen sidomos gjatë këtyre ditëve të fundit”, tregon e shqetësuar një qytetare e cila prej 20 minutash priste në stacion autobusin e Uzinës së Autotraktorit.

Foto 15 Mars, qytetarë në pritje të autobusit të linjës së Uzinës Autotraktori

E njëjta situatë paraqitet edhe në zonën e Astirit. Linja e Tiranës së Re ishte e tejmbushur me qytetarë, disa prej të cilëve ndonëse kishin rreth 20 minuta që prisnin në stacion, vendosën të mos hipnin në autobus për shkak të mbingarkesës.

“Më thuaj ti çfarë të bëj, kam 25 minuta që pres autobusin, më në fund erdhi dhe është plotë. Edhe të dua nuk ka vend që të hipi, shikoje njerëzit janë të ngjitur me njëri-tjetrin. Do pres autobus tjetër skam çfarë të bëj”, u shpreh një 30-vjeçare për Faktoje.

Foto 16 Mars, autobus i linjës Tirana e Re në Astir, i tejmbushur

Rreth një muaj më parë Shoqata e Transportit në Tiranë paralajmëroi ndërprerje të shërbimit të transportit publik, për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Shoqata kërkoi që qeveria shqiptare të marrë parasysh katër kërkesa që që do t’u lehtësonin atyre kostot ekonomike.

Kërkesat drejtuar më herët Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Belinda Ballukut, Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ishin:

-Rimbursimi i TVSH-së

-Heqja e akcizës 37 lekë/liter

-Heqja e taksës taksës së qarkullimit në karburant 27 lekë/litër

-Rimbursim nga ministritë përkatëse sa i përket kategorive të individëve (Invalidë pune, të verbër, paraplegjikë, tetraplegjikë, studentët) që marrin shërbimin e transportit publik me çmim të reduktuar ose falas.

Kujtojmë se çmimi i naftës shënoi rritje në muajin shkurt të këtij viti, duke shënuar vlerën 199 lekë për litër.

Prej rreth 2 vitesh tashmë, punonjësit dhe përfaqësuesit e transportit urban shprehen se po përballen me vështirësi të shtuara ekonomike, kjo si pasojë e Covid-19. Pas shfaqjes së pandemisë në Shqipëri transporti publik ishte një ndër sektorët më të prekur pasi prej muajit mars 2020 u pezullua për të qëndruar mbyllur deri në muajin korrik, pra rreth tre muaj. Ndonëse në muajin gusht 2020 transporti publik u rihap, u shoqërua me reduktim rreth 50% të përdoruesve, ndaj shoqata kërkoi ndihmë nga qeveria për përballimin e kostove.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img