BallinaTë pambajturaA hynë në shtëpi të re banorët e lagjes së rilindur të Manzës?

A hynë në shtëpi të re banorët e lagjes së rilindur të Manzës?

Alked Luku

226 familje në Manëz të Durrësit ende presin që të futen në 9 pallate të reja, që duhet të kishin përfunduar së ndërtuari në fund të vitit 2021. Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, premtoi se në muajin shkurt 2022 familje e para, të përzgjedhura me shorte do të hynin në shtëpi të re. Por, vetë Bashkia e Durrësit pranon për Faktoje se 9 pallatet janë ende në fazën e fundit të përfundimit, ndërsa nga ana tjetër Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zbatues i projektit, shprehet se punimet për rindërtimin e pallateve të rinj, kanë përfunduar dhe janë në proces dorëzimi te Bashkia.

——————–

Më 22 janar të 2022 Emiriana Sako, gjatë një inspaktimi të 9 pallateve të reja që po ndërtohen në Manëz premtoi se: “Në fillim të muajit shkurt do të futen familjet e para në këto banesa”.

Më nëntor 2021, bashkia e Durrësit kishte zhvilluar shorteun publik për shpërndarjen e apartamenteve të reja në Manzë për 42 familje, ndërsa më 27 janar 22 u zhvillua gjithashtu tjetër shorte për 72 familje.

Për të mësuar nëse familjet e para kanë hyrë në apartamentet e premtuara, Faktoje iu drejtua me kërkesë për informacion bashkisë së Durrësit, e cila pranon se ende pallatet nuk kanë përfunduar dhe se çelësat për familjet e para do të dorëzohen në muajin mars.

“Njësia Administrative Manëz ka përfituar nga procesi i rindërtimit, 9 pallate me një numër total apartamentesh 226 si dhe ambiente shërbimesh. Pallatet janë në fazën e fundit të përfundimit, ku po bëhet lidhja e energjisë dhe ujësjellësit për çdo godinë. Numri total i pallateve të përfunduara është 9. Shpërndarja e çelësave për familjet përfituese është parashikuar brenda muajit mars.”

Screenshot nga përgjigja Bashkisë Durrës

Gjithashtu Faktoje pyeti edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, zbatues i projektit për ndërtimin e lagjes së re me 9 pallate, për të mësuar se në çfarë faze janë punimet për ndërtimin e këtyre objekteve të banimit në Manëz.

Screenshot kërkesa drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Në përgjigjen për Faktoje, FSHZH shprehet se: “Punimet për Rindërtimin e pallateve të rinj kanë përfunduar dhe janë në proces dorëzimi te Bashkia.”

Screenshot nga përgjigjia e FSHZH

Për të parë ecurinë e këtij procesi, Faktoje verifikoi në terren nëse kishin hyrë banorë në këto apartamente në lagjen e re në Manëz.

Nga verifikimi rezultoi që punimet nuk kishin përfunduar, pasi grupe pune ishin akoma në terren dhe se nuk kishte prezencë banorësh në këtë lagje të re të ndërtuar.

“Akoma nuk kanë përfunduar plotësisht ka disa detaje të vogla, disa riparime që duan edhe pak kohë, pra akoma nuk kanë mbaruar përfundimisht. Dyert, dritat, uji janë të vendosura, për energjinë thjesht presim që të bëjmë lidhjen e brendshme të pallateve, pra shpërndarjen nëpër apartamente, se lidhja e jashtme ka mbaruar. Nuk janë shpërndarë akoma çelësat, presim nga dita në ditë kur ta vendosin ata të bashkisë”, – u shpreh për Faktoje përgjegjësi i punimeve për 4 nga pallatet.

Foto e punëtorëve në kantierin e punimeve në Manëz

Pak më tej edhe një tjetër punëtor, pjesë e kantierit të ndërtimit, pohoi që ende banorët nuk kanë hyrë nëpër apartamente.

“Pallatet kanë përfunduar, po merremi me disa rregullime të vogla me rrugët, trotuarin. Banorë nuk ka se me qenë do kishte lëvizje.”- u shpreh njëri nga punëtorët, që po merreshin me shtrimin e një pjese trotuari.

Dhënia e premtimit, se banorët e mbetur pa shtëpi nga tërmeti i nëntorit 2019 do hynin në shtëpi të re në muajin shkurt 2022, është bërë dhe nga kreu i qeverisë. Kryeministri Edi Rama më 3 shkurt 2022 nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook shprehej: “Apartamentet do të hapin dyert për banorët javën e ardhshme”.

Screenshot nga postimi i kryeministrit Edi Rama në Facebook

Një muaj më vonë më 3 mars 2022, në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore, Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj i shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, kreu një vizitë në banesat kolektive në Manëz për t’i prezantuar disa banorë me shtëpitë e reja dhe nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ai shprehet “Në ditët në vijim do të marrin në dorë çelësat, krahas 230 banesave individuale.”

Screenshot nga postimi i Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj në Facebook

Banesat duhet të përfundonin brenda 2021

Për banorët e Manëz, hyrja në shtëpi të re, është premtuar që në vitin 2021. Më 24 maj 2021 Kryeministri Rama nëpërmjet postimeve identike në rrjetin social Facebook ku tregohet vizita e tyre në kantierin e punimeve si process i rindërtimit në Manëz, ata premtonin përfundimin e lagjes së re të rilindur me banesa kolektive në këtë zonë brenda vitit 2021.

Screenshot nga postimi i Kryeministrit Edi Rama në Facebook

Dy muaj më vonë, më 26 korrik 2021 edhe Ministri Ahmetaj të shoqëruar nga Kryebashkiakja Sako gjatë vizitës në Manëz përsëri premtuan përfundimin e projektit brenda 2021.

Screenshot nga postimi Arben Ahmetaj në Facebook

Marsi i 2022-it është afati i radhës i dhënë për marrjen e çelësva nga 226 familjet e 9 pallateve në Manëz. Faktoje do të monitorojë nëse familjet që tashmë janë përzgjedhur me shorte, do të futen apo jo në shtëpi të re.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img