Një ballafaqim i dy raportimeve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për paratë e disbursuara për rindërtimin, njëri që gjendet në faqen zyrtare dhe të dhënave të sigurura përmes kërkesës për informim, Faktoje gjeti ndryshime të mëdha. Gjatë 2020-s, disbursimi nga fondi i rindërtimit që nisi në shkurt dhe vijoi deri në dhjetor të atij viti, në faqen zyrtare rezulton si raportim i muajit dhjetor me një shifër totale prej 16,591 miliardë lekësh. Raportimi që e njëjta ministri solli si përgjigje ndaj kërkesës për informim të Faktoje, tregon se e njëjta shumë është disbursuar në shifra të ndryshme përgjatë 12 muajve.
Procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, nga pikëpamja buxhetore ka nisur të zbatohet në vitin 2020. Ky proces është parashikuar të shtrihet në një periudhë trevjeçare, nga 2020 deri në 2022. Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në vitin 2020 janë disbursuar 16,591 miliardë lekë nga një fond i parashikuar prej 28 miliardë lekësh, çka do të thotë se buxheti për atë vit është realizuar në masën 52%.
Nga 16,591 miliardë lekët e disbursuara, 7.6 miliardë kanë shkuar në formë pagesash direkte tek individët, ndërsa 9 miliardë lekë kanë shkuar për ndërtimet e reja.
Disbursimi nga fondi i rindërtimit për vitin 2020 ka filluar në muajin shkurt dhe ka vazhduar deri në muajin dhjetor, për një total prej 16,591 miliardë lekësh. Çdo muaj janë disbursuar fonde për rindërtimin, me përjashtim të muajve janar dhe mars, të vetmit në 2020-n gjatë të cilëve nuk janë disbursuar para nga ky fond.
Nga një verifikim që bëri Faktoje, këto të dhëna nuk përputhen me raportimin fiskal që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë në faqen e saj zyrtare online.
Shuma totale e disbursuar gjatë vitit 2020 është e njëjtë me të dhënat që kjo ministri i ka dërguar Faktojes, 16,591 miliardë lekë, por raportimet mujore nuk përkojnë në asnjë pikë gjatë gjithë vitit.
Në vlerat e raportuara në treguesit fiskalë nga MFE, nga janari deri në nëntor nuk figuron të jetë disbursuar ndonjë qindarkë. Nga ana tjetër, sipas këtij raportimi, në muajin dhjetor rezultojnë të disbursuar 16,591 miliardë lekë vlera totale për gjithë vitin.
Në tabelën e mësipërme kemi vënë në krahasim, vlerat e paguara, sipas MFE të cilat i kemi nxjerrë nga të dhënat e siguruara nga institucioni përmes kërkesës zyrtare për informacion, me vlerat e raportuara në treguesit fiskalë, sipas faqes zyrtare online të ministrisë. Siç mund të shihet, vlera totale është e njëjtë në të dyja kolonat, por raportimi mujor ndryshon plotësisht.
Më pas, kemi nxjerrë diferencën e vlerës së raportuar për secilin muaj mes të dhënave të përftuara nga përgjiga e kërkesës për informim, me të dhënat e publikuara në faqen e MFE, si dhe vlerën që është akumuluar muaj pas muaji (shuma e vlerave të paraportuara).
Deri në fund të muajit nëntor, vlera e akumuluar, e cila nuk ështe raportuar tek treguesit fiskalë, ka arritur në një shumë prej rreth 10,670 miliardë lekë.
Në grafikun e mësipërm kemi vënë në krahasim vlerën mujore të paguar sipas MFE, e shënuar me ngjyrë blu, me vlerën e raportuar tek treguesit fiskalë, e shënuar me ngjyrë të kuqe. Duke qenë se deri para muajit dhjetor nuk ishte raportuar asnjë qindrakë në treguesit fiskalë, vetëm në këtë muaj mund të shohim një kolonë me ngjyrë të kuqe.
Vlerat e paguara në mënyrë mujore sipas MFE, në milionë lekë
Ashtu siç kemi shkruar edhe më parë, disbursimi i fondeve për rindërtimin ka vazhduar edhe përgjatë 5 muajve të parë të vitit 2021. Nga janari deri në maj të këtij viti, janë disbursuar 9,169 miliardë lekë.
Po të shtojmë edhe vlerën prej 16,591 miliardë lekësh të disbursuar gjatë vitit 2020, dalim në përfundimin se nga fillimi i procesit të rindërtimit deri në maj 2021 janë disbursuar 25,76 miliardë lekë.
Kjo e çon realizimin e buxhetit të plotë të rindërtimit (2020,2021,2022) në masën 41.5%, pasi vlera totale e këtij buxheti, bazuar në deklaratën e ministrit Ahmetaj në fillim të shkurtit të këtij viti, do të ishte 62 miliardë lekë.
Pagesat mujore të rindërtimit, nga janar 2020 deri në maj 2021
Faktoje i dërgoi më 21 qershor 2021 një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ta pyetur mbi arsyen e diferencës në raportimin e e përmuajshëm të pagesave nga fondi i rindërtimit.
Kërkesa për informacion drejtuar MFE, 21 qershor 2021
Aktualisht jemi në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion.