.

.

BallinaPertejTransmetimi i filmimeve të gatshme, në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe parimeve të gazetarisë

Transmetimi i filmimeve të gatshme, në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe parimeve të gazetarisë

ELISA GJERANI

Materialet e gatshme filmike të partive politike në fushatë zgjedhore, jo në pak raste transmetohen nga mediat vizive si të përgatitura në redaksi. Edhe pse detyrim ligjor sipas Kodit Zgjedhor, filmimet e servirura nga partitë, nuk mbajnë shënimin  ‘materiali filmik servirur nga subjekti’, sipas një monitorimi të kryer nga 25-31 mars. Pavarësisht shkeljeve të konstatuara, juristët thonë se dispozita e ligjit zgjedhor është e paqartë sa i përket ndëshkimeve administrative, ndërsa sipas gazetarëve, dëmin më të madh, materialet e ‘paketuara’ po ia bëjnë gazetarisë profesionale.

Me çeljen zyrtare të fushatës zgjedhore mediat audiovizive shtuan edhe raportimet për aktivitetet e subjekteve dhe kandidatëve.

Ashtu siç po ndodh prej vitesh, edhe në këtë fushatë materialet e takimeve elektorale dërgohen të gatshme nga subjektet, ndërkohë që edhe transmetimi i takimeve live, mundësohet po nga partitë.

Në pikën 2/d të nenit 84 të Kodit Zgjedhor thuhet:

“Media audiovizive përgatit lajmet në liri të plotë editoriale. Kur për shkaqe objektive media nuk është në gjendje të ndjekë veprimtari të veçanta zgjedhore, ajo lejohet të shfrytëzojë dhe përzgjedhë pamje filmike nga regjistrimet e plota të servirura nga subjektet zgjedhore, me kushtin që ta shoqërojë lajmin me shënimin ‘materiali filmik servirur nga subjekti’.”

Ne monitoruam katër media vizive, dy televizione gjeneraliste dhe dy televizione informative, Top Channel, Vizion Plus, Fax News, Syri Tv gjatë javës së parë të fushatës elektorale 25 mars – 31 mars, për të verifikuar nëse ishte respektuar kjo dispozitë e ligjit zgjedhor. Në shumë raste gjatë monitorimit, nuk u konstatua shënimi “materiali filmik i servirur nga x subjekt”.

Nga monitorimi i kryer në edicionin informativ qendror të orës 19:30 në Top Channel konstatohet se nga data 25 mars 2021, me hapjen e fushatës elektorale, deri më 31 mars 2021 janë transmetuar në këtë fashë orare në edicionet qendrore nga 2 kronika për secilën forcë politike me matësin e kohës në ekran. Nga gjetjet rezulton:

Gjatë edicionit kryesor të datës 25 mars 2021, materialet nuk përmbanin mbishkrimin e materialeve filmike të servirura nga PS apo PD në çeljen e fushatës. Më datë 26 dhe 27 mars raportimet për takimet elektorale gjatë inspektimit të kryeministrit Edi Rama në Spitallë dhe në Shijak, shoqëroheshin më shënimin Pamjet: PS. Po ashtu edhe për takimet e zhvilluara në këto data nga opozita figuron shënimi Pamjet: PD.

Më 28 mars 2021 gjatë kronikës për takimet e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, pamjet e servirura nga Bashkia Tiranë mbajnë shënimin Pamjet/TCH dhe jo atë që tregon se materiali është i ardhur nga subjekti (bashkia). E njëjta mungesë vërehet në pamjet e kronikës ku shfaqet kreu i PD Lulzim Basha me të rinjtë, ku njoftohet: Pamjet/TCH.

Data 29 mars 2021 është shpallur zi kombëtare dhe në respekt të figurës së ish-deputetit të ndjerë Bashkim Fino është ndalur çdo veprimtari fushate.

Më 30 mars 2021 gjatë edicionit qendror të lajmeve në TCH është respektuar vendosja e shënimit “material i gatshëm”, po ashtu më 31 mars, ku kronikat mbanin shënimin pamjet PS/PD.

Në sajë të monitorimit 1-javor për Faktoje, rezultuan 5 raste të mosvendosjes së shënimit ‘material i gatshëm’ në edicionet e monitoruara të Top Channel.

Faktoje monitoroi edhe edicionet qendrore të orës 19:00 në Vizion Plus, një tjetër media gjeneraliste, për të njëjtën periudhë.

Nga data e çeljes zyrtare të fushatës 25-31 mars 2021, rezulton se kjo media ka transmetuar materialet e servirura nga partitë politike PS dhe PD të pashoqëruara më shënimin ‘material i gatshëm’, madje pamjet mbajnë mbishkrimin Pamjet/Vizion Plus.

Edhe më 27 mars 2021 kur kryeministri Rama zhvilloi një takim në Krujë, edhe pse pamjet ishin marrë nga ERTV, nuk njoftohej si material i gatshëm. E njëjta gjetje edhe për kronikën e aktivitetit të kryetarit të PD, Basha në njësinë nr.1 ku pamjet servireshin si të medias Vizion Plus.

Më 28 mars 2021 në kronikën për takimin elektoral të kryeministrit Rama me të rinjtë e kryeqytetit nuk ka shënim që njofton se materialet janë të gatshme, ndërkohë që janë marrë nga ERTV.

Edhe në fund të javës së parë nga nisja e fushatës elektorale, Vizion Plus nuk ka asnjë shënim specifik për publikun për filmimet e gatshme.

Nga monitorimi i televizionit informativ Fax News rezulton se pamjet dhe aktivitetet e ardhura nga subjektet, përgjithësisht njoftohen si të tilla me shënimin Pamje filmike të PS/Pamje Filmike të PD. E njëjta gjë edhe për takimet e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi.

Syri Tv ishte një tjetër media e monitoruar për edicionet e orës 16:00 për të njëjtën periudhë. Gjatë transmetimeve live të aktiviteteve të dy forcave politike, por edhe në transmetimin e kronikave, materialet janë marrë të gatshme nga subjektet politike, por kjo gjë nuk shënohet asgjëkundi.

Më 30 mars 2021, në transmetimin e aktivitetit të kryeministrit Rama në Lezhë, materiali që serviret live është në fakt një material i gatshëm nga PS. E njëjta gjë vlen edhe për pamjet nga PD, të cilat ku nuk përmbajnë asnjë shënim paralajmërues. Këto gjetje janë të njëjta edhe për datën 31 mars 2021.

Për monitorimin e respektimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor nga mediat vizive publike dhe private është përcaktuar Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). Të pyetur se çfarë është konstatuar nga AMA mbi këtë monitorim, ky institucion u përgjigj:

“Treguesit i gjeni në rubrikat ‘live’, ‘emisione’ dhe ‘reklama”.

Për të kuptuar se cilat media kanë shkelur, apo kanë respektuar Kodin Zgjedhor, verifikuam raportet ditore të AMA për fushatën zgjedhore për javën e parë të fushatës 25- 31 mars. Në këto raporte nuk ka të dhëna mbi mungesën e shënimit “materiali filmik servirur nga subjekti”, siç kërkohet me ligj.

Ledio Braho, anëtar i Komisionit te Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ thotë se Kodi Zgjedhor nuk ka të parashikuar dënim administrativ në lidhje me këtë çështje. Të vetmet parashikime janë ato në fjalinë e dytë të pikës 1 të nenit 84 të Kodit Zgjedhor dhe në shkronjën “d” të pikës 2 të po këtij neni.

“Gjatë kësaj fushate përjashtimi është kthyer në përgjithësim dhe pjesa kryesore e pamjeve të fushatës zgjedhore nga subjektet zgjedhore ka qenë e servirur nga vetë subjektet”- thotë juristi Ledio Braho.

Përsa i përket çështjes së mungesës së ankimimeve deri më tani, këtë na e konfirmon një tjetër juriste e cila është e angazhuar në këto zgjedhje për llogari të monitoruesve ndërkombëtarë.

“Ankimime të kësaj natyre së paku deri më tani s’ka pasur, por ligjërisht mund të ngrihen, referuar përmbajtjes, televizioni mund të mos pranonte p.sh. që të transmetonte kronikën, ose të kërkonte që në x kronikë të çonte gazetarin e vet. Ndërsa në nivel argumentimi dhe interpretimi vlen të shihet qëndrimi që do mbahet nga palët dhe institucionet e përfshira” – thotë juristja.

Përtej respektimit nga ana e mediave të dispozitave ligjore për transmetimin e materialeve të gatshme, ky fenomen duket se i ka ‘paralizuar’ gazetarët e terrenit.

Everest Dedaj, gazetar politik në “Ora News”, shprehet:

“Në 30 ditët e fushatës elektorale, çdo material i forcave politike vjen nëpërmjet kanaleve online, i ‘paketuar’ dhe i bërë thuajse gati. Një mënyrë tjetër që forcat politike kanë përdorur është ai i prodhimit vetë të sinjalit dhe transmetimit live në rrjetet si Facebook apo Youtube. Kjo mënyrë sjelljeje e forcave politike ndaj medias ka nisur vite më parë, por këtë fushatë ka qenë edhe më e theksuar, duke shtuar mungesën e transparencës.”

Të njëjtin konstatim ka edhe operatori Gulian Hysa nga Vizion Plus.

“Zero aktivitete të xhiruara nga ne. Ndonjë rast i rrallë nëse ka xhiruar ndonjë media, me porosi, por në 99,9% të fushatave zgjedhore, ne operatorët thuajse jemi të qetë dhe pushim, ndryshe nga shumë vite më parë, që në 1 muaj fushatë nuk merrnim dot frymë. Shpërndarja e kasetave ka filluar që në zgjedhjet e 2009-2011-2013 e në vazhdim. Dhe sot kemi arritur që mos të xhirojmë asnjë aktivitet elektoral.” – shprehet Hysa.

Edhe Eljona Ballhysa, redaktore në Report Tv, na thotë:

“Absolutisht, asnjë njoftim paraprak që presim gazetarë dhe kamera në filan vend. Të gjitha materialet nga partitë dhe kandidatët janë të gatshme. Jam e bindur 100% që kështu ka qenë edhe në 2017, por edhe në 2013, qëkur Facebook u kthye në media.”

Një konstatim i tillë, u vu re në monitorimin e grupeve të informacionit në Whatsapp të të dy kampeve kryesore politike, PS dhe PD.

Siç vihet re edhe në këtë foto, Partia Demokratike njofton në orën 20:31 se për pak kryetari Basha do jetë live nga Kavaja dhe vetëm pas 5 minutash nis transmetimi.

E njëjta situatë ndodh edhe me grupin tjetër të njoftimeve për takimet e Kryeministrit Rama.

Ervin Goci, pedagog i shkencave të komunikimit, shprehet:

“Problemi, nuk është nëse cënojnë gazetarinë, por janë të jashtëligjshme, shkojnë kundër Kodit të Transmetimit të mediave, i cili është një fakt juridik dhe publik, por asnjë nuk e merr në konsideratë. Gjithsesi, gazetari nuk është një qenie e burokratizuar që nuk vepron nëse ti e intimidon.”

Ndërsa Rigels Xhemollari, drejtues i “Qëndresës Qytetare”, shprehet:

“Përveç qytetarit, kjo formë transmetimi cënon dhe censuron gazetarinë e lirë, të drejtën për të raportuar dhe pamundëson misionin e gazetarit në shërbim të qytetarëve. Kandidatët po na shiten si manekina me një CV, me një numër rendor dhe me një imazh të bukur që duhen votuar”.

Kurse politologu Ermal Hasimja vë në dukje se përdorimi i filmimeve të gatshme të përgatitura nga partitë është një simptomë e varësisë së mediave nga politika, por edhe e varfërisë së tyre.

“Në vend të hulumtimit kemi pasqyrim të thjeshtë të asaj që partitë dhe institucionet shtetërore dëshirojnë që të paraqitet. Këtë mungesë të madhe mediat tentojnë ta zëvendësojnë me emisionet e opinionit, ndërkohë që hulumtimi i fakteve i lihet në dorë debatit. Më tepër sesa KQZ-ja apo ligji do të vlente përgjegjshmëria dhe profesionalizmi i vetë mediave”- shprehet ai.

*Ky artikull u mbështet nga projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img