Bashkitë Elbasan, Librazhd e Prrenjas shkelje me posterat elektoralë dhe administratën në fushatë

Nga Faktoje - 23 Prill, 2021

BARDHA NERGJONI

Në qarkun Elbasan, disa kryetarë bashkish janë konstatuar se kanë shkelur Kodin Zgjedhor. Në fasadën e Bashkisë Librazhd qëndron një poster elektoral, në shkelje të ligjit dhe vendimit të KQZ që ngarkon kryetarin e bashkisë ta heqë. Ndërkohë, 4 nga 7 drejtues vendorë të bashkive të këtij qarku janë shfaqur në aktivitete publike të paralajmëruara për promovim të investimeve gjatë fushatës.

Bashkia Librazhd shkel Kodin Zgjedhor dhe vendimet që shpall vetë

Bashkia Librazhd ka shkelur Kodin Zgjedhor dhe një vendim të miratuar nga vetë ajo për përcaktimin e vendeve publike në territorin e kësaj bashkie për afishimin e materialeve propagandistike të subjekteve zgjedhore. Në Kodin Zgjedhor, institucionet publike përjashtohen si vende afishimi për propagandë elektorale, por ndërkohë në murin e Bashkisë Librazhd një poster gjigand konfirmon shkeljen e tij nga institucioni vendor.

Poster elektoral në fasaadën e Bashkisë Librazhd, 22 prill 2021

Në një vendim që mban datën 18.03.2021 të kryetarit të Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra, thuhet se subjektet zgjedhore duhet të zbatojnë rregullat e vendosura sipas Kodit Zgjedhor.

Ndër pikat e vendimit është ndalimi i afishimit të materialeve zgjedhore në fasadat e godinave të banimit, institucioneve publike apo ambienteve rrethuese pranë tyre, brenda zonave rekreative, parqeve në pemët e qytetit dhe shtyllat e ndriçimit. Sipas këtij vendimi në rast të shkeljeve, policia bashkiake duhet të ndërhyjë.

Për vendosjen e posterit të PS ka reaguar në një postim në rrjetet sociale kandidati i Partisë Demokratike në zonën e Librazhdit, Lefter Gështenja.

KQZ ka dalë me një vendim duke konfimuar paligjshmërinë dhe urdhëron heqjen e menjëherëshme të këtij posteri.

Pavarësisht vendimit të KQZ, posteri i vendosur në Bashkinë Librazhd nuk është hequr të paktën deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Kryebashkiakët në fushatë

Në një postim që mban datën 27 mars 2021, në faqen e tij në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja deklaroi nisjen e punës për asfaltimin e rrugës “Ismail Zyma”. Dy ditë më pas, në një tjetër postim ai njoftoi nisjen e asfaltimit të një tjetër rruge në Bashkinë Elbasan.

Më 1 prill, kryebashkiaku Llatja u shfaq në krah të drejtuesit politik të Partisë Socialiste Taulant Balla në një video duke inspektuar punimet për asfaltimin e disa rrugëve në qytetin e Elbasanit, gjatë ditëve të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit. Balla gjatë prononcimit në video mohoi që këto investime të kishin lidhje me fushatën.

“Këto nuk janë rrugë të programuara për zgjedhjet e 25 prillit. Arsyeja e shtyrjes së tyre ishte moti, pasi duhet të hedhim asfalt në kushte të përshtatshme për të siguruar qëndrueshmëri.”- deklaroi ai.

Duke iu bashkuar mesazhit të kryetarit të bashkisë, Balla deklaroi se në Elbasan po punohet prej 18 muajsh për infrastrukturën dhe do vazhdohet të punohet me të njëjtat ritme edhe pas 25 prillit.

Ndërkohë edhe kryetari i Bashkisë Cërrik, më 1 prill 2021 u shfaq në krah të kandidatëve të Partisë Socialiste. Në postimin në profilin zyrtar në Facebook, kryebashkiaku Andis Salla shkruan:

“Rruga e Firakëve në Gjyralë, falë ndërhyrjes së mjeteve të bashkisë u shndërrua në rrugë lehtësisht të kalueshme. Ndërhyrje të tilla të shpejta do të kryejmë në të gjitha rrugët rurale të bashkisë”.

Një tjetër kryetar bashkie u shfaq në krah të drejtuesit politik të PS duke inspektuar punimet e urgjencës mjekësore në Prrenjas.

“Bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar Taulant Balla pamë nga afër punën që po kryhet për rikonstruksionin e Urgjencës Shëndetësore të Prrenjasit” – thuhet në postimin e kryetarit të bashkisë Nuri Belba në 28.03.2021.

Duke theksuar se bëhet falë për një investim nga qeveria shqiptare, kryebashkiaku Nuri Belba shpalosi edhe premtimet e drejtuesit politik të PS për mbajtjen e statusit spital vendor të institucionit shëndetësor në Prrenjas. Postimi i kryetarit të Bashkisë Prrenjas është realizuar më 28.03.2021 në një ditë zyrtare pushimi, por shfrytëzimi i një investimi shtetëror për fushatë ndalohet. Shfrytëzimi i një investimi shtetëror për fushatë duke u konsideruar si një aset shtetëror është një shkelje e sanksionuar në Kodin Zgjedhor dhe specifikisht në vendimin nr. 9 datë 24.12.2020 të Rregullatorit të KQZ.  Ky vendim saktëson se kur është e ndaluar të përdoren asetet shtetërore në fushatë.

“Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje, burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia.”- theksohet ndër të tjera në nenin 91 të Kodit Zgjedhor.

“Prania e drejtuesve politikë të fushatës në investime shtetërore, vërteton shkeljet e Kodit Zgjedhor”- konfimoi për Faktojen një ekspert i pavarur i cili preferoi të mos identifikohej.

Ne i dërguam një kërkesë për informacion KQZ për të mësuar nëse janë njoftuar aktivitetet e sipërpërmendura nga kryetarët e bashkive Elbasan, Prrenjas e Librazhd.

Por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje.

*Ky artikull u mbështet nga projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.