.

.

BallinaPertejTrajtimi online për fëmijët me aftësi të kufizuar në Kukës nuk funksionon, rihapet qendra pas verifikimit të "Faktoje"

Trajtimi online për fëmijët me aftësi të kufizuar në Kukës nuk funksionon, rihapet qendra pas verifikimit të “Faktoje”

AURORA SHPATAJ

Prej muajit mars të këtij viti, 37 fëmijë që duhet të marrin trajtimin e specializuar në qendrën komunitare në Kukës, iu “nënshtruan” platformave online, pasi qendra ku ata merrnin shërbimet u mbyll për shkak të Covid-19. Prindërit e këtyre fëmijëve, edhe pse u ankuan se trajtimi online ku përfshihej çuditërisht edhe fizioterapia ishte i pamundur, morën si përgjigje se hapja e qendrës bëhej vetëm më urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. Por një ditë pas verifikimit të “Faktoje” në Kukës, u njoftua rihapja e pjesshme e kësaj qendre.


Në bashkinë e Kukësit 37 fëmijë të moshës nga 2 deri 20 vjeç të diagnostikuar me aftësi ndryshe dhe me nevoja të veçanta, nuk mund të merrnin shërbimin në qendrën komunitare, e vetmja në këtë bashki për shërbimin e specializuar. Kjo situatë nisi në mars, kur qendra u mbyll për shkak të përhapjes së pandemisë. Por edhe pse shkollat dhe institucionet arsimore u hapën, qendra në fjalë, e ofronte shërbimin online. Për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar, trajtimi online ishte një përvojë sfilitëse dhe e paefektshme për shkak të specifikave dhe vështirësive që ata kanë me përshtatjen.

Më 15 dhjetor, “Faktoje” shkoi në Kukës për të vëzhguar situatën. Personeli i qendrës komunitare na konfirmoi:

“Qendra trajton 37 fëmijë me probleme të ndryshme, stafi ynë përbëhet nga një psikologe, dy logopede dhe një fizioterapiste. Aktualisht bëjmë mësim online për shkak të pandemisë. Ndërkohë stafi dërgon instruksione për trajnimin në telefonat e prindërve, sipas specifikave të çdo fëmije”.

Nga vëzhgimi i mjediseve të brendshme të qendrës konstatuam se ato ishin në gjendje të prisnin fëmijët për t’u trajtuar.

Dhomat ku mblidhen grupe fëmijësh për trajnime, foto:Aurora Shpataj

Dhoma ku fëmijët me aftësi ndryshe bëjnë fizioterapi, foto:Aurora Shpataj

Tualetet brenda qendrës të përshtatura për fëmijët me aftësi ndryshe, foto: Aurora Shpataj

Ne pyetëm prindërit nëse po përshtateshin me mënyrën online të dhënies së shërbimit të specializuar për fëmijët e tyre.

“Po, na sjellin video, detyra, stafi i qendrës, por nuk di t’i bëjmë se jam pa shkollë”– shprehet Silvana, nëna e një djali me aftësi të ndryshe.

Ndërkohë Azbija, nëna e një djali 7 vjeç që është me epilepsi dhe me vështërsi në të ecur, thotë për “Faktoje” se mësimi online është i pamundur.

“Qysh mundet me bë mësim online, fëmija im nuk rri dot para telefonit. Unë nuk di ta bëj atë që thotë logopedia, psikologia plus që kam dhe frikë se po e mësoj gabim”– shprehet Azbija për “Faktoje”.

Screenshot i një bisede mes psikologes dhe një prindi

Screenshot nga trajnimi online ndaj në fëmije me aftësi të kufizuara.

Edhe vetë stafi i qendrës na konfirmon që është e vështirë të trajtojnë përmes telefonit fëmijët me nevoja të veçanta, por po përpiqen të përshtaten me situatën.

“Normalisht mësimi online është i vështirë si për fëmijët tipikë edhe për fëmijët atipikë, ka mangësitë e veta. Por në krahasim me pjesën e mosushtrimit të asistencës teknike, ky është një hap përpara pasi mësimi online është për të mbajtur gjeneralizimin e sjelljeve në mënyrë që të mos agravojë në sjellje fëmija”-shprehet psikologia e qendrës.

Ajo shton:

“Ne bëjmë 2-3 seanca online në javë për çdo fëmijë dhe kohëzgjatja shkon diku rreth 35 minuta, por mund të ndodhë që mund ta zgjas në varësi të problematikës që mund të ketë fëmija.”

Nga stafi i qendrës komunitare që qëndroi mbyllur prej muajit mars mësuam se edhe shërbimi i fizioterapisë jepej online.

“Bëj mësim online, dërgoj video, detyra prindërve që të mund t’i ndjekin e t’i aplikojnë tek fëmijët e tyre, por dihet që vështirësia është e madhe”– tregon për “Faktoje” fizioterapistja e qendrës.

Prindërve të këtyre fëmijëve, dhënia e shërbimit të fizioterapisë përmes internetit u duket sa e pamundur, aq edhe qesharake.

“Si mundet që fizioterapistja me bë mësim online, a duhet me e prek atë fëmijë me i lëviz këmbët apo pjesë tjera të trupit”- shprehet Sazani, babai i një vajze me aftësi të kufizuara.

“Janë hapur baret, shkollat, çerdhet dhe nuk hapet qendra që ka një komunikim tek për tek, pra fëmijë-specialist. Unë aktualisht vajzën time e dërgoj në shkollë, pse nuk mund të shkojë dhe në qendër ku rreziku është më i ulët për shkak të numrit të personave?!!”– ankohet ai.

Pas takimeve që zhvilluam me prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe stafin e qendrës, që deri më datë 15 dhjetor ka qëndruar e mbyllur, ne iu drejtuam bashkisë, për të mësuar se për ç’arsye qendra e vetme e shërbimeve komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara në këtë bashki, nuk hapet.

Nuk kemi një udhëzim specifik për të hapur qendrën sociale nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë periudhës së pandemisë. Në momentin që më sillet një udhëzim, ne kemi të gjithë vullnetin e mirë dhe e hapim brenda 24 orëve” – tha për “Faktoje” zëvëndëskryetarja e bashkisë, Majlinda Onuzi.

Pas kësaj përgjigjeje ne i dërguam një kërkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë çështje:

Kërkesa zyrtare për informacion dërguar me datë 16 dhjetor të këtij viti

Por ende pa kaluar 24 orë nga verifikimi në Kukës, u informuam se qendra komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuar në bashkinë e Kukësit, kishte njoftuar nisjen e shërbimeve të pjesshme në mjediset e saj.

Mesazhi i dërguar prindërve nga ana e qendrës

Në Bashkinë Kukës, numri i personave me aftësi të kufizuar, siç pranojnë edhe autoritetet lokale (apo specialistët) është shumë më i lartë, por identifikimi dhe regjistrimi i tyre bëhet i vështirë edhe për shkak të mentalitetit, pasi personat me aftësi të kufizuar dhe familjet e tyre paragjykohen.

“Numri është më i madh në Bashkinë Kukës, por prindërit nuk e pranojnë për shkak të mentalitetit. Nga debistimi që kemi bërë nëpër fshatra kemi pikasur 4 raste të fëmijëve me aftësi të kufizuara”- tregon drejtuesja e qendrës për “Faktoje”.

Por më problematik ky fenomen është nëpër fshatra, ku edhe ofrimi i shërbimit të specializuar për këtë kategori nuk ekziston.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img