Trajnim dy-ditor për ekipin e Faktoje.al mbi Raportimin për Zgjedhjet. Të lumtur që patëm dy trajnerë të standarteve të larta profesionale si Richard Meares dhe Jonathan Stoneman. Ata ndanë eksperiencat e tyre me gazetarët, dhanë sugjerime e këshilla se si mund të raportohet mbi një proces zgjedhor duke ruajtur gjithmonë standaret gazetareske.
Kuadri ligjor për zgjedhjet dhe procesi elektoral e rëndësia e verifikimit të fakteve gjatë zgjedhjeve ishin në fokus të ditës së dytë të trajnimit për gazetarët e Faktoje. Aktiviteti u zhvillua falë mbështetjes së madhe të Ambasadës Britanike në Tiranë, Prezencës së OSBE-së në Tiranë nëpërmjet ekspertizës ligjore të saj dhe USAID-it.
Richard Meares – Nisi karrierën e tij si gazetar në Reuters në vitin 1987 dhe punoi për më shumë se 20 vjet si korrespondent në vende të ndryshme te botës; Kroaci, Bosnje, Gjermani, Irak dhe në Afrikën e Jugut. Meares ka një eksperiencë të gjatë si korrespondent dhe njihet për shkrimin e lajmeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me; rënien e murit të Berlinit, luftrat në Ballkan apo kriza botërore financiare. Ai drejton kurse trajnimi në të gjithë botën për; raportimin për zgjedhjet, krizat, biznesi, korrupsioni etj. Meares është udhërrëfyes i njohur për gazetarët investigativë, përmes kurseve online si dhe një trajnues shumë i informuar mbi Median Sociale.
Jonathan Stoneman – Punoi për BBC-në për 20 vjet si kërkues, producent, gazetar, redaktor e më pas drejtoi departamentin e trajnimeve të Shërbimit Botëror të BBC-së (BBC World Service). I specializuar veçanërisht në Europën Qendrore dhe Lindore, Stoneman raportoi për BBC-në thuajse nga çdo vend i Paktit të Varshavës në vitet 1990-të, ndërsa më pas drejtoi shërbimin e BBC-së në gjuhën maqedonase dhe kroate. Në vitin 2010 ai vendosi të largohej nga BBC dhe të bëhej trajnues i lirë (freelance). Prej kësaj kohe, Stoneman është marrë me gazetarinë e të dhënave (data journalism) dhe trajnime mbi zgjedhjet, edhe në Shqipëri apo edhe në vende të tjera të Ballkanit.