“Kush janë tre personat e rrezikshëm ku është përqendruar hetimi? Sulmi i Top Channel-it, ja çfarë ka zbuluar ekspertiza…”, me këtë titull portali Dritare.net ka tërhequr vëmendjen e lexuesve duke ngritur shpresat se policia ka arritur të identifikojë personat që sulmuan “Top Channel” mesnatën e 27 marsit nga ku mbeti i vrarë roja i sigurisë Pal Kola. Artikulli i publikuar më 7 prill është ripublikuar më pas edhe nga disa portale të tjera shqipfolëse.

Por përtej titullit bombastik, artikulli në brendësi të tij nuk përmban asnjë të dhënë mbi personat me rrezikshmëri të lartë që pretendohej se ekspertiza e policisë ka zbuluar.
“Goditja me 15 plumba e godinës së “Top-Channel”, vijon të qëndrojë e pazbardhur, megjithëse policia dhe prokuroria e Tiranës, pretendojnë se kanë ngushtuar ndjeshëm rrethin e personave, që dyshohet se morën pjesë në goditjen me armë të televizionit..” – shkruhet në nisje të lajmit, duke e bërë të qartë që në krye të herës që titulli nuk ka lidhje me brendinë e artikullit.
Verifikimet tregojnë se deri në publikimin e këtij lajmi, Policia e Shtetit nuk e ka zbardhur sulmin e paprecedentë të 27 marsit, ndaj televizionit Top Channel. Ndërkohë, edhe në faqen zyrtare të Top Channel, në kronikën e fundit lidhur me sulmin, ngrihet si shqetësim fakti që sulmi ka mbetur ende i pazbardhur.
Ky është një tjetër rast kur portalet shfrytëzojnë për klikime ngjarjen e rëndë ndaj televizionit kombëtar Top Channel. “Faktoje” ka verifikuar edhe më parë artikuj të ngjashëm mbi sulmin ndaj televizioit kombëtar, të cilët mbajnë tituj të pavërtetë.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.
Fotografia kryesore e marrë nga webi.