Lajmi për protestën e organizuar nga kandidati i opozitës në Kamëz, Arjan Hoxha është interpretuar në titujt e mediave online si një protestë në nivel kombëtar e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Si kuptohet edhe në brendi të lajmit, në të vërtetë nuk bëhet fjalë për koalicionin, por për disa të rinj të forumeve përkatëse të partive, që përfaqësohen nga ky koalicion.
Jona Plumbi
Kanë kaluar pesë ditë nga mbajtja e procesit zgjedhor, por vëmendja vijon të mbetet tek rezultati i zgjedhjeve, në pritje të zyrtarizimit të tyre pas përfundimit të numërimit të çdo kutie për këshillat bashkiakë.
Vëmendja e shtuar tek procesi zgjedhor ka sjellë edhe informacione të shumta të shpërndara nga mediat trandicionale dhe ato online, lidhur me procesin. Në kohën kur pjesa më e madhe e kutive të votimit janë numëruar, dhe pamja është thuajse e qartë për fituesit dhe humbësit në garë, rradha është e partive politike dhe organizatave monitoruese të njoftojnë ankimimet e tyre për procesin.
Nisur nga zgjedhjet e kaluara, ku rezultati është mohuar nga pala humbëse duke akuzuar kundërshtarin për shkelje të ligjit dhe rregullave, pritshmëria është për të parë reagimin e opozitës, e cila humbi në pjesën dërrmuese të bashkive.
Pas deklaratës së drejtuesit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha, se zgjedhjet e 14 majit ishin farsë, pritshmëritë që opozita të kontestojë zgjedhjet, zyrtarisht apo në retorikë, është e lartë.
Këtë pritshmëri ka “shfrytëzuar” Euronews Albania, kur njoftoi në rrjetin social Facebook se “Koalicioni “Bashkë Fitojmë” njofton protestën kundër procesit zgjedhor”.
Kushdo që e ka hapur këtë lajm për ta lexuar, i tërhequr nga titulli, ka kuptuar se në fakt lajmi është ndryshe nga ai i njoftuar në titull. Vetë titulli i lajmit ndryshon pasi e hap atë.
Si kuptohet pasi hapet lajmi, vetë website i Euronews njofton se është “forumi rinor i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kamëz” ai që ka lajmëruar zhvillimin e një proteste përpara KQZ-së dhe jo koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
“Ju bëjmë me dije se ditën e Enjte, datë 18.05.2023 nga ora 11.00, përballë ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e Forumit Rinor të koalicionit “BASHKË FITOJMË”, do të zhvillohet një protestë paqësore për kundërshtimin e procesit zgjedhor të mbajtur në Kamëz më datë 14.05.2023” – shkruan njoftimi i publikuar në artikull.
Përdorimi i një titulli që nuk e kufizon interesin e lexuesve tek procesi zgjedhor në Kamëz, por e shtrin atë në të gjithë Shqipërisë, për pasojë i sjell faqes që ka shpërndarë lajmin më shumë klikime. Ndërsa për lexuesit, ose një pjese të mirë të tyre, sjell vetëm zhgënjim, pasi lajmi i njoftuar në titull, në fakt është i ndryshëm.
Joshja e lexuesve me tituj keqinterpretues të cilët përgënjeshtrohen nga vetë lajmi, janë praktikë e mediave, kryesisht online, në vend. Kjo metodë nuk ndihmon aspak në informimin e qytetarëve. Përkundrazi, i keqinformon ata lexues, të cilët shpesh nuk lexojnë përtej titullit të lajmit.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin