Pretendimi: Ndërron jetë Lulzim Basha?!
Verdikti: Mungon konteksti, clickbait
——————————————————————-
Një përpjekje e kryetarit të Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha për të përgënjeshtruar një lajm të rremë që pretendonte humbjen e jetës në një aksident, është përdorur nga një numër portalesh shqipfolëse për të tërhequr sa më shumë klikime. Tituj si: “Lajmi i fundit/ Ndërron jetë Lulzim Basha?! Vjen reagimi urgjent! Ja si qëndron e vërteta”, janë publikuar edhe ditët e fundit.
Në brendinë e tyre, artikujt e botuar nën këto tituj sqarojnë se Basha ka përgënjeshtruar në Facebook një lajm të rremë, të ndarë nga një profil në Instagram, tashmë i bllokuar, që njoftonte vdekjen e tij në një aksident.
Përgënjeshtrimi i Bashës u ripostua me ironi edhe nga kryeministri Edi Rama duke i dhënë edhe më shumë jehonë një lajmi që do të mbetej periferik në rrjetet sociale.
Megjithë përpjekjen e Bashës për të përgënjeshtruar lajmet e rreme rreth tij, portalet vijojnë ta përdorin atë për të tërhequr vëmendjen dhe klikimet e lexuesve duke përdorur tituj tendenciozë.