Pretendimi: Vijnë pasoja të rëndësishme në Shqipëri për shkak të luftës Izrael-Iran
Vlerësimi: Mungon konteksti
Lajmet keqinformuese apo ato të shpërndara me qëllimin për të mbledhur sa më shumë klikime kanë shfrytëzuar gjerësisht përplasjen mes Izraelit dhe Iranit. Faktoje ka përgënjeshtruar disa pretendime të ngritura nga media të ndryshme online të cilat përhapin lajme të paqëna apo nxjerrin plotësisht nga konteksti ngjarjet.
I tillë është edhe rasti i një lajmi të përhapur nga media online “Histori Shqiptare”. “Lufta Izrael-Iran, vijnë pasojat e para në Shqipëri! Edi Rama e kishtë bërë të kryer, ja çfarëpo ndodh” – kështu shkruan titulli i lajmit.

Për të lexuar informacionin, ata që e kanë hasur këtë lajm në rrjetin social Facebook klikojnë në linkun e ofruar nga faqja, i cili të çon në faqen petravu.com
Në faqe duket një imazh i një qielli me raketa me të njëjtin titull si publikimi në FB.

Lajmi pretendon se tashmë Shqipëria është prekur nga pasoja të rëndësishme për vendin për shkak të konfliktit Izrael – Iran, por dhe përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Për të lexuar “lajmin e plotë” me tej faqja të fton të klikosh butonin e kuq.
Pasi klikon për të lexuar lajmin e plotë hapet një tjetër faqe e Petravu me titull “Edi Rama e kishte bere te kryer, ja cfare po ndodh”.

Lajmi flet për ndikimin që konflikti mes Izraelit dhe Iranit ka pasur në sektorin e turizmit për shkak të ndalimit të udhëtimeve që autoritetet izraelite i kanë vënë qytetarëve të saj. Këto janë “pasojat e rëndësishme” që Shqipëria po vuan për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Sa i përket pretendimit që gjendet në titull se kryeministri Rama “e kishte bërë të kryer”, në tekstin e lajmit nuk gjendet asnjë referencë që ta shpjegojë kuptimin e saj. Kryeministri Rama nuk përmendet asnjëherë në tekstin e lajmit të plotë.
Duke përdorur një titull gjysmak dhe mashtrues, faqja e detyron lexuesin të klikojë disa herë për të lexuar në përfundim një informacion që nuk ka lidhje aspak me atë çka titulli lë të kuptohet. Dukshëm qëllimi i faqes është që të mblidhen sa më shumë klikime dhe jo të informojë qytetarët për një aspekt të caktuar të pasojave që po sjell konflikti mes Izraelit dhe Iranit në Shqipëri. Duke kapitalizuar mbi frikën apo interesin e qytetarëve për të kuptuar nëse qeveria ka ndërmarrë ndonjë hap në lidhje me këtë situatë, faqja çorienton lexuesin me një titull që nuk përputhet aspak me brendinë e lajmit.