.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTituj abuzivë për rritjen e pensioneve këtë tetor

Tituj abuzivë për rritjen e pensioneve këtë tetor

Pretendimi: Pritet të ketë rritje pensionesh në këtë datë

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

“E FUNDIT! Ja data kur do rriten pensionet nuk do besoni dot sa PARA do shkojnë tek xhepat e të moshuarve”, jep lajmin e mirë titulli i një artikulli të botuar në portalin Noxblog më 14 tetor 2025.

Megjithatë, pensionistët do të zhgënjehen me të lexuar fjalinë e parë të artikujve, ku shpjegohet se “ekspertët paralajmërojnë se indeksimi i pensioneve këtë tetor do të jetë më i ulët se vitet e kaluara.”

Pra, nuk kemi të bëjmë me rritje pensionesh, por me indeksimin e tyre.

Për më tepër, paçka premtimit të titullit se do të zbulojë datën e ‘rritjes’ së pensioneve, asnjë datë e tillë nuk gjendet në brendinë e artikullit.

Referuar ligjit 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve. “Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit,”– shkruhet në nenin 61 të ligjit.

Siç Faktoje ka shpjeguar në tetor 2023, megjithëse kryeministri Rama në atë kohë e quajti indeksimin e pensionit rritje, ekonomistët argumentojnë se nuk janë e njëjta gjë. 

“Matematikisht janë e njëjta gjë, ndërsa ekonomikisht edhe ligjërisht nuk janë,” shpjegonte Irena Beqiraj duke shtuar se ekonomikisht rritja nuk lidhet me nivelin e çmimeve, sikurse indeksimi. 

“Pra konsiderohet rritje kur ajo ndodh e pavarur nga inflacioni, duke rritur kështu mirëqënien e një pensionisti. Indeksimi kompenson pensionistin për uljen e fuqisë blerëse të shkaktuar nga inflacioni pa rritur aspak mirëqenien aktuale të tij,” argumentoi Beqiraj. 

Një tjetër ndryshim thelbësor lidhet me detyrimin ligjor të qeverisë për indeksimin e përvitshëm të pensioneve.

“Ligjërisht indeksimi për shkak të inflacionit është nje detyrim i përcaktuar në ligj për qeverinë, edhe duhet të kryhet nga kjo e fundit pavarësisht parametrave makro- fiskal. Ndërsa rritja nuk është detyrim ligjor. Ajo vjen si rezultat i përmirësimit të parametrave ekonomike,” shprehej Beqiraj.

Në tetor 2023, pensionet u indeksuan në masën 8,6%. Në Tetor 2024, pensionet u indeksuan në masën 4,1%.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img