Qytetarëve të Tiranës u duhet të paguajnë për të aksesuar disa nga terrenet sportive në kryeqytet. Një vendim i Këshillit Bashkiak në prill të këtij viti përcakton edhe tarifat. Në lidhje me këtë çështje, Bashkia e Tiranës bën të ditur për Faktoje se në cilat terrene sportive kërkohet pagesë. Nga ana tjetër qytetarët, veçanerisht të rinjtë, shprehin shqetësimin për këtë, duke theksuar se kjo tarifë është një kosto ekstra në xhepin e tyre.
Endi Kalemaj
Në shkurt të vitit 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inauguroi kompleksin e madh multisportiv te zona e Liqenit Artificial. Asokohe u premtua se gjithçka do të ishte falas.
“Kjo do të jetë një hapësirë e hapur 24 orë. Pra, kushdo në Tiranë mund të vijë këtu e të shijojë ajrin e pastër, duke u marrë me sport”, deklaroi Veliaj.
Po çfarë ndodhi pas 5 vitesh, a janë këto fusha të hapura për çdo person në Tiranë për t’u marrë me aktivitete sportive?
Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, për të pasur një pasqyrë më të detajuar mbi fushat sportive.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës
Në përgjigjen zyrtare, ky institucion tregon fushat sportive ku qytetarët duhet të paguajnë për të zhvilluar aktivitetet.
“Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit sqaron se deri më tani Fushat Multisportive, Fushat e Tenisit “Perlat Voshtina’ në Parkun e Madh të Liqent si dhe Fusha e Sportit në Laprakë kanë qenë pa pagesë. Për shkak të kostos së mirëmbajtjes dhe që fushat të mos kalojnë në degradim, bazuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak me nr.31, datë 06.04.2022, u vendos tarifimi i këtyre hapësirave publike.
Fushat me pagesë në kryeqytet janë: Fusha Multidisiplinare në Parkun e Madh të Liqenit, Fushat e Tenisit ‘Perlat Voshtina’ në Parkun e Madh të Liqent si dhe Fusha e Sportit në Laprakë”, bën të ditur zyrtarisht Bashkia e Tiranës.
Tarifat për terrenet sportive
Me Vendim të Këshillit Bashkiak nr. 31. dt. 06 prill 2022 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 158, datë 26. dhjetor. 2019, “Për sistemimin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar, më poshtë tarifat për përdorimin e fushave multisportive në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës dhe fushën e futbollit në Laprakë.
“Fushë volejbolli: Biletë për individ ose grup prej 12 personash – 1400 lekë/kohëzgjatja 60 min. Për subjekte tregtare/klube/shoqata – 2000 lekë/kohëzgjatja 60 min. Studentët 50% të vlerës.
Fushë basketbolli: Biletë për individ ose grup prej 10 personash – 1300 lekë/kohëzgjatja 60 min. Për subjekte tregtare/klube/shoqata – 2000 lekë/kohëzgjatja 60 min. Studentët 50% të vlerës.
Fushë futbolli: Biletë për individ ose grup prej 14 personash – 2000 lekë/kohëzgjatja 90 min. Për subjekte tregtare/klube/shoqata – 2500 lekë/kohëzgjatja 90 min. Studentët 50% të vlerës.
Fusha e Laprakës: Biletë për individ ose grup prej 22 personash – 5000 lekë/kohëzgjatja 90 min. Për subjekte tregtare/klube/shoqata – 6000 lekë/kohëzgjatja 90 min. Studentët 50% të vlerës”, përcakton VKM.
Por, sa ndikojnë këto tarifa në xhepat e qytetarëve?
Faktoje bisedoi me disa të rinj, të cilët i frekuentojnë rregullisht terrenet sportive. Ata shprehen se kosto të tilla ndikojnë direkt në xhepat e tyre.
“Jo çdokush ka mundësinë e aksesimit të fushave sportive në këto momente, të cilat ato janë kthyer me lekë. Është një kosto për secilin prej nesh, nëse këto fusha kanë emrin publike se kuptoj se çfarë kupton Bashkia Tiranë me këtë term, kur numri i personave do të jetë i kufizuar. Kthimi me lekë na kufizon, duhet me patjetër te bëhemi grup i madh, pasi me 5-6 veta nuk na del, – thotë një student për Faktoje.
Ata të cilët preken nga ky kufizim janë edhe të rriturit. “Është një vendim qesharak. Si mund të ushtrohet një aktivitet sportiv kur e kufizon mundësinë e pjesëmarrjes duke kërkuar tarifë, është e paimagjinueshme. Sot fushat sportive i ke bosh, fushat që deri dje ishin të populluara. Lutuni mos ta kthejnë dhe vrapin nga liqeni me lekë”,- shprehet V.H mjek në Tiranë, të cilin e takojmë duke bërë vrap nga liqeni.
Kjo problematikë prek gjithashtu dh një grupmoshë tjetër, nxëxësit e shkollave 9-vjeçare. “Unë së bashku me shokët e mi luajmë në një fushë në lagje, nuk ka kushtet e duhura, është pa porta futbolli dhe pa rrjetat mbrojtëse. Luajmë aty, sepse është e vetmja fushë pa lekë. Më parë luanim tek fushat e Liqenit, por aty nuk luajmë më sepse është kthyer me lekë”, thotë Drini, 13 vjeç nga Tirana.
*Shkrimi publikohet në kuadër të projektit #YOUTHRAP, një bashkëpunim i #Faktoje me IREX Albania për të nxitur të rinjtë që të jenë kërkues të së vërtetës dhe verifikues të fakteve.