ANXHELA RUÇI & ANDI BORA
Që prej vitit 2016, në qytetin e Tiranës nisi implementimi i kartës së rezidentit, e cila u jep mundësi banorëve, të kenë një hapësirë të dedikuar për parkimin e autoveturave pranë banesave te tyre. Në një postim në Twitter, Tirana Parking njoftoi se dhe për vitin 2018 ky shërbim i Bashkisë do të jepet falas.
Pajisuni SHPEJT dhe FALAS me një kartë rezidenti vetëm duke paraqitur dokumentat e mëposhtme:
1. Vërtetim Banimi,
2. Fotokopje të kartës së identitetit,
3. Fotokopje të lejes së qarkullimit/çertifikatën e pronësisë së automjetit. pic.twitter.com/fo24CuQ9fp— Tirana Parking (@Tirana_Parking) January 25, 2018
Duke marrë shkas nga ky postim, “Faktoje” nisi procesin e verifikimit. Në përgjigjen e marrë nga Bashkia Tiranë, u konfirmua se pajisja me pullën e rezidentit do vazhdojë të jetë falas edhe për vitin 2018, ashtu siç ka qenë që prej implementimit të këtij projekti.
Dëshmitë e banorëve
Deklarata e Tirana Parking, rezulton e vërtetë, por banorët janë ata që japin vlerësimin përfundimtar për ecurinë e projektit. Banorët e zonës 4, pranë stadiumit Dinamo, kanë pranuar për “Faktoje” se kanë aplikuar falas për t’u pajisur me kartën e rezidentit si në vitin 2017 ashtu dhe në vitin 2018. Gjithashtu ata shtojnë se në vendet e parkimit të posaçme për rezidentët, makinat e tjera që parkojnë dhe nuk kanë pullën përkatëse marrin gjobë ose hiqen nga vendi i parkimit me karrotrec.
Rezultatet e terrenit
Nëse shikoni një zonë parkimi me vijëzime të bardha duhet të kujtoni se është parkim i dedikuar ata që janë pajisur me kartë rezidenti. Në një zonë të tillë, nga inspektimi i “Faktoje”, rezultoi se në 22 makina të parkuara 18 prej tyre ishin të pajisura me një vërtetim se kanë aplikuar për kartën e rezidentit dhe janë në pritje të tërheqjes së pullës përkatës, 2 automjete nuk kishin asnjë shenjë identifikuese që të tregonte nëse ishin rezidentë, ndërsa dy të tjera kishin pullën e rezidentit të vendosur në pjesën e përparme të xhamit.
Një tjetër dukuri që u vu re në terren, ishin policët bashkiakë të cilët monitoronin zonat e parkimit për rezidentë, duke ndëshkuar të gjithë shoferët që kishin parkuar makinat në zonat e ndaluara.
Nisur nga faktet e listuara më sipër, deklaratën e Tirana Parking se karta e rezidentit shpërndahet falas dhe për vitin 2018 do ta kategorizojmë si një lajm të vërtetë.
Informacione shtesë për kartën e rezidentit
Tirana është e ndarë në katër zona të Administrimit të Parkimit, e cila tregohet në tabelën e mëposhtme;
Aktualisht, janë 2531 persona që kanë aplikuar për kartën e rezidentit, ndërkohë që ky numër pritet të rritet, me zgjerimin e hapësirës për parkim që do të shtohet edhe në dy zona të tjera.