Gjiknuri: BE-ja ka ndaluar përdorimin dhe ndërtimin e landfilleve

2615
Damian Gjiknuri

ANDI BORA

Gjiknuri: “Strategjia e Bashkimit Evropian ka ndaluar përdorimin dhe ndërtimin e landfillit. Format që mbeten, janë ose format totale të parandalimit, pra përdorimi i çdo materiali të riciklueshëm, që për Shqipërinë është akoma luks dhe format e incenerimit për prodhimin e energjisë elektrike.”

Kjo është deklarata e bërë nga ministri i energjisë dhe transportit, Damian Gjiknuri, gjatë interpelancës së kërkuar nga Partia Demokratike që mban datën 15 shkurt.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Duke dashur të verifikojmë vërtetësinë e deklaratës së Gjiknurit për incenerimin në vendin tonë sipas strategjisë së Bashkimit Evropian për menaxhimin e mbetjeve, ju bëjmë me dije se objektivat kryesore për politikën e mbetjeve janë të renditura si më poshtë:

  • Të zvogëlohet sasia e mbetjeve të gjeneruara
  • Të maksimizohet riciklimi dhe ripërdorimi
  • Të limitohet incenerimi për materialet e pariciklueshme
  • Mbetjet në landfill, të ndahen në të riciklueshme dhe të pariciklueshme
  • Të sigurohet implementimi i plotë i politikës për menaxhimin e mbetjeve në të gjitha shtetet anëtare të BE-së

Këto të dhëna janë përditësuar së fundmi, më datë 19.02.2018, dhe mund t’i lexoni edhe në anglisht në faqen zyrtare të Komisionit Europian.

Pjesa e parë e deklaratës së Gjiknurit, rezulton të jetë jo e vërtetë, pasi kjo strategji që Bashkimi Europian përdor, nuk ka ndaluar ndërtimin dhe përdorimin e landfillit, por vetëm sugjeron limitimin e  tij.

Ndërsa pjesa e dytë e deklaratës rezulton të jetë pjesërisht e vërtetë, pasi në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve në BE (shpjeguar përgjatë të gjithë materialit), përfshihet edhe incenerimi, edhe pse është më pak i përdorshëm. Po sipas së njëjtës strategji, edhe ky proces është kërkuar që ky proces të limitohet.

Ashtu siç shihet edhe nga tabela e mësipërme, incenerimi bën pjesë tek niveli i “Other recovery”, që do të thotë përpunime të cilat lidhen me prodhimin e energjisë ose rikthimi në gjendjen fillestare të mbetjeve.

Landfill-i është një formë e vjetër e përpunimit të mbetjeve, por në Evropë akoma një pjesë e konsiderueshme e shteteve anëtare i menaxhojnë mbetjet nëpërmjet landfill-it, proces ky që ka rënë me 25% që nga viti 1995.

Landfilli i Bushatit

Në vendin tonë ka dy landfill-e, ai i Bushatit dhe i Elbasanit që u inaugurua në prill të vitit të kaluar, së bashku më impiantin e përpunimit të mbetjeve (inceneratorin), ndërsa të gjithë qytetet e tjera kanë vetëm vendgrumbullime të cilësuar jashtë çdo standarti mjedisor (të paktën sipas vëzhgimeve tona). Në këtë aspekt gjykojmë dhe besojmë se do të ishte më e udhës që qeveria e cila ka parashikuar ndërtimin edhe të dy inceneratorëve të tjerë në Fier dhe Tiranë, të trajtonte fillimisht situatën në këto vendgrumbullime.

Në grafikun e mëposhtëm vihet re që Shqipëria ka dyfishuar prodhimin e mbetjeve, e cila në vitin 2015 arriti nivelin më të lartë.

Një ndër arsyet që qeveria kërkon ndërtimin e inceneratorëve është prodhimi i energjisë nëpërmjet djegies së mbetjeve, por duke qenë se Shqipëria ka një nivel të ulët të riciklimit, pothuajse në nivelin 15%, mund t’i jepet më shumë rëndësi riciklimit sesa incenerimit, duke iu përshtatur politikave të BE-së, e cila ka kërkuar që deri në vitin 2020, niveli i riciklimit të jetë 50%.

Duke iu referuar një raporti të publikuar online në faqen e Komisionit Evropian, prodhimi i energjisë nëpërmjet incenerimit  shpesh është një mënyrë jo efiçente për menaxhimin e materialeve të përdorura, pasi ato janë pjesërisht të vështira për t’u djegur ose lëshojnë kimikate në një temperaturë të lartë.

Ky raport, inkurajon shtetet e BE-së, të përdorin mënyra për riciklim në vend të incenerimit. me qëllim shmangien e ndotjeve mjedisore.