.

.

BallinaPertejTirana nuk 'mban' më, spitali i Durrësit hap pavionin për të prekurit nga Covid-19

Tirana nuk ‘mban’ më, spitali i Durrësit hap pavionin për të prekurit nga Covid-19

AURORA SHPATAJ

Pavarësisht deklaratave të qeverisë se 3 spitalet covid në Tiranë, kanë ende vende të lira për pacientët me Covid, spitali rajonal i Durrësit ka hapur këtë fundjavë pavionin e dedikuar për trajtimin e këtyre të sëmurëve. Me nje kapacitet prej 340 shtretërish, spitali ka mundur të sigurojë deri tani 8 shtretër për këta pacientë, ndërsa konfirmon se ka 6 respiratorë. Për stafin mjekësor në Durrës, hapja e pavionit Covid është një sfidë e re, ndërsa për familjarët e pacientëve të shtruar aty, ky është një lehtësim.

 

Durrësi është i dyti në renditje,pas Tiranës me numrin  më të lartë të të infektuarve,vetëm sot totali i të infektuarve në këtë qytet shkon 1218 ndërsa respektimi i masave parandaluese nga individët vazhdon të jetë i ulët. Pak ditë pasi qeveria garantoi se në Tiranë ka ende kapacitete të lira për shtrimin e të infektuarve me covid, Faktoje arriti të konfirmojë se në spitalin rajonal të Durrësit është hapur pavioni i dedikuar për pacientët e infektur nga Covid. Ne arritëm të sigurojmë foto nga mjediset e brendshme të spitalit në Durrës, kur ai sapo kishte nisur të pranonte pacientët në gjendje më serioze nga covid. Deri pak ditë më parë, ata dërgoheshin në Tiranë, ku 3 spitalet Covid ishin të vetmet për trajtimin e tyre.

Pavijoni i dedikuar për pacientët me Covid në spitalin e Durrësit,foto:Aurora Shpataj.

Burimet brenda spitalit rajonal të Durrësit i konfirmuan Faktojes se pavioni paliativ është kthyer prej kësaj të premteje, në pavionin e dedikuar për pacientët me covid dhe te sëmurët e tjerë që kuroheshin aty, janë transferuar në katin e katërt, në të njëjtën ndërtesë.

“Është hapur pavioni, sepse Tirana nuk pranon më, përveç atyre që janë në  gjendje të përkeqësuar. Ka dy dhoma që quhen kodet e kuqe, ku çdo pacient i dyshuar për Covid qëndron aty, i bëhet tamponi dhe skaneri i mushkërive e pastaj shtrohet në pavion ”-thanë për Faktoje, burimet brenda spitalit që kërkuan të mos identifikohen.

“Aktualisht në zonat e kuqe,pra të dedikuara për pacientët e dyshuar për covid,janë 8 shtretër, katër janë në  njërën dhomë dhe katër në dhomën tjetër. Këto i mbajmë derisa iu del diagnoza,pastaj i dërgojmë në pavion, se deri ditën e  djeshme i kemi pas dërguar në Tiranë”-konfirmojnë të njëjtat burime.

Gjatë kohës që Faktoje po verifikonte hapjen e pavionit Covid, në spitalin e Durrësit, anëtarë të stafit na thanë:

“Aktualisht ka 20 të dyshuar për Covid, por kjo shifër ndryshon nga çasti në çast, për shkak të rasteve që vijnë“.Faktoje u interesua lidhur me kapacitetet e këtij spitali në shtretër dhe personel dhe nëse është i mundur përballimi edhe i pacientëve të prekur nga Covid-19.

 

“Ka340 shtretër, përveç shtretërve të reanimacioneve dhe urgjencave, ndërsa

shtretër të lirë ka 183 na thanë burimet, të cilat shtojnë:

 

“Shtretër të dedikuar për Covid nuk janë përcaktuar sa mund të jenë, por mund të fillojmë me 40 shtretërit e infektivit dhe në vazhdim duke parë situatën.”

Zyrtarisht, në spitalin e Durrësit konfirmohet 1 mjek dhe 2 infermierë të prekur nga koronavirusi, por numri i të prekurve brenda stafit dyshohet të jetë më i madh. Megjithatë, të gjitha shërbimet spitalore raportohet të jenë në funksion.

 

Në pavionin e sapohapur për Covid, janë dy mjekë,njëri prej tyre është pneumolog.“Janë dy mjekë specialistë që merren meto dhe infermierët. Është dhe mjek i urgjencës, i pari që ka kontaktin me pacientin dhe nëqoftëse ka dyshime,e dërgon për skaner dhe për kryerjen e tamponit.”

Faktoje u informua nga burimet brenda spitalit se të 6 respiratorët janë të zënë.

“Nëqoftëse ndodh që njëri pacient të përkeqësohet, ose ne nuk kemi më kapacitete, e dërgojmë për Tiranë.”- tregon një infermier për Faktojen.

Nga spitali raportohet se furnizimi me oksigjen është në nivel optimal.

Ambulancat para spitalit rajonal Durrës,foto:Aurora Shpataj

“Për gatishmërinë e pacientëve të dyshuar me Covid, janë vendosur në dispozicion 4 autoambulanca, nga 5-8 autoambulanca që ka spitali. Njëra është në gatishmëri për raste si aksidente apo plagosje.” – tregojnë anëtarë të stafit spitalor të Durrësit.

Pamje nga brenda të një ambulance të spitalit të Durrësit, foto:Aurora Shpataj

Hapja e pavionit Covid, në spitalin e Durrësit ishte lehtësues për shumë prej atyre që po përballen me sfidën e pandemisë, pacientë apo të afërm.

“Jo, nuk e dërgoj bashkëshortin tim në Tiranë, sepse aty nuk mund të komunikoj me të, ndërsa këtu po.”-shprehet një grua që sapo ka shtruar të shoqin me covid aty. Gjatë bisedës me të dhe të afërm të tjerë pacientësh që presin para spitalit, kuptojmë se 4 rastet e vetëvrasjes që ndodhën në Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe atë Infektiv në Tiranë, kanë ngjallur panik mes njerëzve.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img