Këtë fillim muaji, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se kryeqyteti numëron 1 milionë qytetarë. Zyrtarisht, numri i popullsisë në Tiranë rezulton 598,176 banorë. Edhe si qark, Tirana numëron gjithsej 758, 513 banorë.

Esmeralda Topi

Më 2 dhjetor, Tirana veshi petkun e festave të fundvitit. Në sheshin Skëndërbej u ndezën dritat shumëngjyrëshe – një traditë e Bashkisë Tiranë që këtë vit u realizua më herët se zakonisht.

Gjatë ceremonisë festive, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i shoqëruar nga fëmijë dhe qytetarë, ndezi dritat e pesë pemëve të vendosura në qendër të qytetit.

“Sot Tirana ka 1 milionë qytetarë…”, deklaroi Veliaj gjatë fjalës së tij.

Fakt

Numri i popullsisë në Tiranë rezulton 598,176 banorë dhe jo 1 milionë siç deklaron Veliaj. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, edhe si qark Tirana nuk e arrin shifrën e 1 milionë banorëve.

Burimi: INSTAT

Censin e fundit të popullsisë dhe banesave qarku i Tiranës rezulton me 758, 513 banorë gjithsej.

1/3 e popullsisë në Tiranë

Në Shqipëri jetojnë 2,4 milionë banorë. Rreth 1/3 e popullsisë jeton në Tiranë. Ky është përfundimi i INSTAT pas mbylljes së Censit për popullsinë dhe banesat 2023.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 31,6% e shqiptarëve të numëruar nga Censi 2023 jetojnë në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10 përqind, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7 përqind ndaj popullsisë gjithsej. Qarqet me numrin më të ulët të popullsisë janë Kukësi dhe Gjirokastra.

Burimi : INSTAT

Dekadën e fundit, popullsia ka ardhur në rënie në të gjithë qarqet, me përjashtim të Tiranës. Në anën tjetër, popullsia e qarkut Tiranë është rritur me 1,2 përqind, më së shumti prej migracionit të brendshëm.

Përfundim

Mbështetur në të dhënat zyrtare të Cens-it 2023, deklaratën e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj se ‘kryeqyteti numëron 1 milionë qytetarë’, e kategorizojmë të pavërtetë.