Po Lexoni:
Thumanë e Bubq, ‘shpresa’ e të pastrehëve një çadër dimërore

Thumanë e Bubq, ‘shpresa’ e të pastrehëve një çadër dimërore

FJORI SINORUKA& MARJO BRAKAJ

“Jemi munduar që gjatë gjithë periudhës së fundit të ndryshojmë çadrat verore me ato dimërore, sepse kushtet atmosferike janë të tilla.Besoj se këtë javë ne i mbyllim 100% nevojat e banorëve për çadrat dimërore.”- tha zëvendësministrja e Mjedisit Ornela Çuçi në datën 23 dhjetor, në një emison në televizionin News 24.

Edhe zëvëndsministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda, përsëriti të njëjtin zotim duke vendosur si afat Vitin e Ri.“ Ne duam që Viti i Ri të gjithë njerëzit t’i gjejë në çadra dimërore”, deklaroi zv.ministrja Rovena Voda në  28 dhjetor. 

Nisur nga këto deklarata “Faktoje” vendosi që të kryente një verifikim në terren duke shkuar në 2 prej zonave më të goditura nga tërmeti, në Thumanë dhe Bubq.

“Faktoje” gjeti në Thumanë banorë që e presin Vitin e Ri në tenda verore, të papërshtatshme për të përballuar kushtet atmosferike të dimrit me temperatura që natën shkojnë disa gradë nën 0.  Banorët na thanë se fëmijët nuk mund të përballojnë ngricat nën këto çadra, ndaj i kanë dërguar tek të afërmit.

Edhe në çadrat e tjera, të konsideruara si çadra dimërore, banorët ishin të pakënaqur me kushtet, për shkak të të ftohtit dhe  vështirësive për t’u furnizuar me energji elektrike.

“Faktoje” pyeti zëvëndësministren e Brendshme, Rovena Voda se sa është numri total i personave që po qëndrojnë në çadra verore. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, “Faktoje” nuk arriti të marrë një përgjigje për shfrat.

Megiithatë, gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit, ministri Bledi Çuçi pranoi se në çadra qëndrojnë 10225 persona ndërsa vetëm 3613 janë në hotele.

Kështu, një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, pjesa dërrmuese e të pastrehëve e presin Vitin e Ri në çadra, mbase të zhgënjyer nga premtimet e orëve të para pas fatkeqësisë natyrore, kur kryeministri Rama mori një zotim madhor që u tkurr brenda pak ditëve. 

 

 

icon
Shkruani fjalën dhe shtypni enter.