Pretendimi: Kamala Harris ka qenë anëtare e Partisë Komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik
Verdikti: Imazh i manipuluar
————————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se zv.presidentja amerikane dhe kandidate për presidente në zgjedhjet e nëntorit 2024 Kamala Harris ka qenë dikur anëtare e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Si provë për këtë sillet imazhi i çfarë duket si një librezë anëtarësimi me tekst në rusisht dhe me foton e Harris adoleshente të bashkëngjitur.
Ky postim ndahet më së shumti nga përkrahësit e rivalit të saj, Donald Trump, duke tentuar të theksojnë politikat e majta të demokratëve në prag të zgjedhjeve.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Formati i tij i përputhet modelit të faqes ruse Stalinanavas.net, ku çfarëdo përdorues mund të gjenerojë ‘dokumente’ sovjetike, përfshi një urdhër nga policia sekrete Staliniste, titullin e Nënës Heroike, dhe një librezë anëtarsimi në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Për të gjeneruar librezën e anëtarësimit, faqja i jep përdoruesve mundësinë për të ngarkuar edhe një foto për t’iu bashkëngjitur dokumentit të manufakturuar.
Lehtësisht, Faktoje gjeneroi një librezë të ngjashme.