Nga Sebi Alla Në fushatën elektorale të vitit 2023, për mandatin e tij të parë si kryebashkiak, si pikë të parë të një liste me premtime, Ermal Dredha shkruante se do të punonte fort për: “Ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas, për të mundësuar akses për të gjithë vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit”, por dy vite më pas, Vlora nuk ka akoma një projekt, e aq më shumë një terminal.
Qindra autobusë dhe furgona të linjave të ndryshme nuk kanë një stacionim të përcaktuar dhe në çdo hapësirë të mundshme sheh autobusë në rrugë kryesore dhe furgonë të futur në qoshëse lagjesh.
Bashkia
Faktoje.al iu drejtua Bashkisë Vlorë me disa pyetje për çështjen e terminalit, nëse kishte projekt, dhe nëse po a është buxhetuar?! “Nuk disponojmë projekt për terminalin dhe rrjedhimisht nuk është e buxhetuar në buxhetin e bashkisë në vitet 2024 dhe 2025” thotë zyrtarisht Bashkia Vlorë.
Shqetësimi për mungesën e një stacionimi të linjave interurbane është i hershëm në Vlorë, ndërsa si ide e hedhur nga Bashkia Vlorë ishte që të ndërtohej terminali pranë ish-Stacionit të Trenit në qytetin e Vlorës.










Fakt
Faktoje.al gjatë vëzhgimit në qytetin e Vlorës konstatoi disa autobusë të stacionuar në qendër pranë “Lagjes Pavarësia”, por edhe në brendësi të qytetit kudo që mund të gjendej hapësirë boshe për parkim.
Për Faktoje Bashkia Vlorë tha se janë ende në bisedime paraprake për të siguruar fondet, por pa lënë një afat se kur mund të hartohet projekti, të kryhet buxhetimi dhe nisë puna. “Aktualisht jemi në bisedime paraprake me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një terminali autobusësh si dhe shpresojmë sa më parë të konkretizojmë me një projekt dhe realizimin e tij”, thotë Bashkia Vlorë.
Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjitshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor harta “Stacione dhe Terminale” nuk e ka të përfshirë Vlorën, duke mbetur qyteti që jo vetëm nuk ka një terminal, por as një stacion qëndror.
Përfundim
Nga konstatimi në terren, por edhe përgjigjja zyrtare e Bashkisë Vlorë për Terminalin e Autobusëve Ndërqytetas rezulton se nuk ka projekt konkret dhe janë në fazën e bisedimeve me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ndaj premtimin për ndërtimin e këtij terminali, do ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.