Të rreme provat kimike për breshërin që goditi Veriun e Italisë

536

Përdoruesit në rrjete sociale po shpërndajnë një fotografi nga breshëri që përfshiu Italinë në fund të muajit korrik duke pretenduar se në përmbajtje të tij ka alumin, barium dhe elementë të tjerë të rrezikshëm për shëndetin. Verifikimet tregojnë se këto informacione janë të pabaza.

Në fund të muajit korrik përdorues të ndryshëm në rrjete sociale kanë shpërndarë një fotografi nga breshëri që përfshiu Italinë e veriut duke pretenduar se në përbërje të tij ka patur alumin, barium dhe elementë të tjerë të rrezikshëm që provojnë se stuhitë janë krijuar nga procese kimike dhe nuk janë fenomene natyrale.

“Nuk u shkrinë pas shumë orëve: i çuan në një laborator të pavarur dhe gjetën në to alumin, barium dhe strontium.”, shkruan një përdorues nga Italia në rrjetin social Facebook më 24 korrik.

Tre ditë më vonë, një profil nga Shqipëria ka ndarë të njëjtën fotografi duke ngritur të njëjtat pretendime.

“Topa tmerrësisht të mëdhenj plot me helme u përshëndetën dje në Itali – u dërguan në laborator, analizat treguan se në fakt janë të përbëra nga alumini, bariumi dhe stroncium, elementë shumë të rrezikshëm për shëndetin, ku duhet të ketë vetëm ujë dhe asgjë tjetër. Dëshmi e pamohueshme se ky nuk është akull natyral”, shkruan ky profil në rrjetin social Facebook duke ngjallur dhjetra reagime nga përdoruesit e tjerë.

Verfikimet e kolegëve tanë në Itali nga Facta.news tregojnë se këto informacione janë të pabazuara, por të nxitura nga teoritë konspirative, sipas të cilave klima kontrollohet nga gazrat e lëshuar nga avionët në atmosferë.

Sa i përket fotografisë që është shpërndarë rezulton se është imazh i publikuar më 22 korrik 2023 nga një banor i Monestirolos në një faqe lokale në Ferrara, pjesë e provincës së Emilia-Romanjës, në pjesën veriore të Italisë.

Fillimisht, saktësojmë se fenomeni meteorologjik i breshërit është krejtësisht i natyrshëm dhe ndodh kur një pikë uji, e pranishme në atmosferë, transportohet nga era në një rrymë më të ftohtë, nën zero gradë Celsius, dhe për këtë arsye tenton të ngrijë. Më pas, pikat e ujit të pranishme në re tentojnë të grumbullohen me topin e parë të akullit dhe të rriten në madhësi dhe peshë derisa të bien në tokë me anë të gravitetit.

Sipas një studimi të fundit nga Instituti i Shkencave Atmosferike dhe Klimatike të CNR (Këshilli Kombëtar i Kërkimeve), botuar në revistën shkencore Eos, krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, Italia duket të jetë vendi më i prekur nga fenomeni i stuhive të breshërit, sidomos në periudhën e verës.

Sa i përket shpejtësisë me të cilën shkrihet akulli, kjo varet nga madhësia e breshërit dhe temperatura e mjedisit përreth. Për shembull, nëse vendoset në një mjedis të ngrohtë, akulli do të fillojë të thithë nxehtësinë e nevojshme për të kaluar nga faza e ngurtë në fazën e lëngshme. Shpejtësia e shkrirjes është në përpjesëtim të zhdrejtë me masën e akullit, kështu që sa më e madhe të jetë topthi i breshërit, aq më shumë kohë do të duhet për shkrirjen e tij. Siç tregohet në këtë video të bërë nga një reporter lajmesh në kanalin televiz amerikan ABC15 Arizona, një bllok akulli i vendosur në një trotuar në Phoenix, SHBA mbeti i paprekur për më shumë se një orë e gjysmë pavarësisht një temperature atmosferike rreth 45 gradë Celsius.

Së fundi, në postim përmendet një laborator i pavarur, por nuk jepet asnjë tregues në lidhje me këtë strukturë dhe se kur ishte kryer analiza ndaj breshërit. Gjithashtu nuk ka asnjë provë që një laborator të ketë konstatuar praninë e aluminit, bariumit dhe strontiumit në përbërjen e breshërit, siç thuhet në postimet e shpërndara në rrjete sociale.