.

.

BallinaAktiviteteTë rinjtë mësojnë mbi metodat e verifikimit të fakteve dhe si të mbrohen nga dizinformimi

Të rinjtë mësojnë mbi metodat e verifikimit të fakteve dhe si të mbrohen nga dizinformimi

Dhjetëra të rinj morën pjesë në trajnimet e radhës të zhvilluara nga Faktoje në qytetet e Korçës, Shkodrës dhe Durrësit, në kuadër të ‘Youth Reporting Albania Program’ (Youth Rap). Ata mësuan më tepër rreth mënyrës së verifikimit të fakteve apo edhe mënyrave se si të mbrohen nga dizinformimi. Pjesë e rëndësishme e trajnimeve ishin edhe temat e adresuara nga të rinjtë, të cilat do të pasqyrohen në formën e artikujve gjatë muajve në vijim.

Trajnimi i radhës në Korçë

Faktoje mbajti trajnimin e radhës në qytetin e Korçës, i dyti ky pas trajnimit hapës, i cili nisi udhëtimin e trajnimeve “Youth Rap” në disa qytete të Shqipërisë.

Nxënësit gjatë trajnimit të Faktoje

19 nxënës nga gjimnaze të ndryshme të këtij qyteti morën përgjatë dy orëve informacione të ndryshme për mënyrën e  filtrimit të informacioneve që ata marrin çdo sekondë përmes rrjeteve të ndryshme sociale.  Faktoje i njohu me disa nga aplikacionet dhe teknikat që gazetarët përdorin pothuajse në çdo artikull të publikuar, i cili lidhet me përhapjen e imazheve të manipuluara apo të keqpërdorura.

“Një rast që më kujtohet tani, që mund t’i kishim kontrolluar nëse do të dinim disa nga këto aplikacione është fotoja e kryeministrit nga Dubai”- tha Evangjeli, një nga vajzat prezente në trajnim.

Foto nga trajnimi në Korçë

Përveç informimit nga ana e Faktoje gjatë trajnimit studentët patën mundësi të sillnin në vëmendje disa nga tematikat, të cilat ata i shihnin si të patrajtuara në mediat shqiptare. Bullizimi ishte ‘kryefjala’ e temave ku nxënësit evidentonin si problematikë edhe mungesën e kapaciteteve apo shpeshherë edhe të profesionalizmit të psikologëve.

“Kam shkuar vetë te psikologia e shkollës kur kam bërë kalimin nga shkolla 9-vjeçare në gjimnaz, sepse kisha vështirësi të përshtatesha. Psikologia më trajtoi sikur gjithë problemi të isha unë, kur ndërkohë përshtatja ime ishte me nxënësit e tjerë jo vetëm me veten”- u shpreh një nga vajzat e pranishme.

Nxënësit ishin mjaft të interesuar dhe kjo përshtypje na u la sidomos kur kërkuam të provonin aplikacionet e verifikimit të fotove dhe videove pikërisht gjatë trajnimit. Interesante për ta ishte dhe pjesa e plotësimit të quiz-it të ku në mënyrë satirike kuptuan thelbin  e punës së një gazetari ‘fact-checking’.

Nxënësit gjatë plotësimit të pyetësorit

Trajnimi në Shkodër

Më 27 prill u zhvillua në qytetin e Shkodrës trajnimi i radhës nga Faktoje, në kuadër të ‘Youth Reporting Albania Program’ (Youth Rap).

Përmes këtij trajnimi të realizuar nga gazetarët e Faktojes, të rinjtë e qytetit të Shkodrës mësuan më shumë rreth mënyrës së verifikimit të fakteve, si të mbrohen nga dizinformimi apo edhe si të shohin në mënyrë kritike informacionet dhe lajmet që qarkullojnë në media të ndryshme.

Gjithashtu, të rinjtë ngritën problematika që shqetësojnë ata dhe komunitetin e tyre, të cilat do të pasqyrohen në formën e artikujve në muajt në vijim. Disa nga temat që shqetësonin të rinjtë lidheshin me mungesën e laboratorëve në shkolla, largimet e të rinjve nga vendi, apo edhe mungesa e mbështetjes për blegtorët.

Trajnimi i të rinjve në Shkodër

“Ne kemi shumë dëshirë që të zgjedhim lëndën e informatikës, por problemi është se nuk kemi një sallë ku të zhvillojmë praktikën mësimore. Gjithashtu, na është thënë nga drejtuesit e shkollës që nuk kemi mësues të specializuar për këtë lëndë, për të mësuar të rinjtë për informatikë”, shprehu shqetësimin një prej të rinjve të gjimnazit “Oso Kuka” në Shkodër.

Një tjetër çështje me interes për të rinjtë ishte mënyra dhe metodat që përdoren për të verifikuar fotot apo videot e rreme.

Trajnimet synojnë të nxisin të rinjtë që të “dyshojnë” në informacionet masive si dhe t’i orientojë ata drejt rrugës së tyre si gazetarë qytetarë.

Trajnimi në Durrës

Rreth 30 nxënës të disa prej gjimnazeve të qytetit të Durrësit ishin në datë 28 prill pjesë e trajnimit të radhës që Faktoje mbajti pranë Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC),  në kuadër të projektit “Youth Reporting Albania Program”.

Të rinjtë e qytetit të Durrësit u trajnuan se si të zhvillojnë mendimin kritikë përballë morisë së lajmeve, fotove dhe videove me të cilat përditë përballen në rrjet.

Gazetarja e Faktoje, Ina Allkanjari paraqiti para gjimanzistëve shembuj konkretë nga puna e përditshme në verifikimin e fakteve dhe sa rëndësi ka ky proces në përcjelljen e një informacioni të saktë, të plotë dhe të paanshëm.

Të rinjtë pjesëmarrës gjatë trajnimit në Durrës

Mungesa e gjelbërimit në qytetin e Durrësit ishte një prej shqetësimet që ngriti Ana, një prej gjimnazisteve pjesmarrëse në trajnim.

“Mungesa e gjelbërimit, e parqeve për fëmijë, të rinj dhe pensionist është një një shqetësim për qytetarët e Durrësit. Në të gjithë hapësirën e Durrësit përgjatë viteve të fundit shohim një betonizim të qytetit dhe kjo gjë duhet të ndryshoj”, u shpreh Ana.

Enisa një tjetër gjimnaziste u shpreh se duhet të ushtrohet një vëmendje më e lartë ndaj rëndësisë që psikologu ka në shkollë.

“Rëndësia e shëndetit mendor duhet të jetë një ndër temat që duhet të diskutohet më shpesh dhe të ketë vemendje më të lartë. Në shkolla profesioni i psikologeve nuk merret seriozisht, në momentin që një i ri ka nevojë të zhvillojë një seancë me psikologun shpesh ndodh që ai të bullizohet nga shokët e klasës”, u shpreh gjimanzistja nga Durrësi.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img