Pretendimi: Kjo video tregon njerëzit në Kinë që po dërgohen aktualisht në kampe karantine
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————–
Një video që po shpërndahet në rrjet si të ishte e kohëve të fundit pretendon se tregon njerëz që po dërgohen në kampe karantine në Kinë. Postimi vjen në këto momente kur Kina ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore për rritjen e rasteve të të prekurve nga Metapneumovirusi i njeriut (HMPV), një virus respirator që shkakton simptoma të gripit ose të ftohjes.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se kjo video është postuar në rrjet që në Dhjetor 2022, dy vite më parë.
Sipas përshkrimeve që shoqërojnë postime të videos në 2022, pamjet tregojnë qytetarë kinezë që ishin diagnostikuar me Covid-19 duke shkuar vullnetarisht në karantinë.
Faktoje.al ka verifikuar gjithashtu më parë si të pabazë alarmin për një karantinim të dytë botëror pas atij të Covid-19 në rastin e Metapneumovirusit të njeriut (HMPV). Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) kanë deklaruar se ky virus ka tre dekada që qarkullon në të gjithë botën, duke shtuar se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar në laborator, por nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qarkulluar në Shqipëri në sezonin e infeksioneve respiratore.