.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTë pabaza akuzat për inskenimin e ndalimit nga policia të ambjentalistes Greta Thunberg

Të pabaza akuzat për inskenimin e ndalimit nga policia të ambjentalistes Greta Thunberg

Pamje nga ndalimi i aktivistes ambjentaliste Greta Thunberg nga policia gjermane më 17 janar po qarkullojnë në internet, shoqëruar me aludimin se kemi të bëjmë me një arrestim të inskenuar. Nga verifikimi i “Faktoje”, rezulton se policia gjermane ka deklaruar se Thunberg është shoqëruar vërtet në rajon.

——————————————

Një numër videosh dhe fotosh të aktivistes ambjentaliste suedeze Greta Thunberg të rrethuar nga policë, të cilët e kanë kapur nga krahët, ndërsa Thunberg duket e qetë dhe e buzëqeshur, duke e lënë veten të fotografohet, po ndahen nëpër rrjete sociale, shoqëruar me aludimin se ky është në fakt një arrestim i inskenuar nga Thunberg apo miliarderi i preferuar i konspiracionistëve, George Soros.

Në 17 janar, Greta Thunberg dhe aktivistë të tjerë ambjentalistë u shoqëruan nga policia gjermane gjatë protestave kundër shkatërrimit të fshatit gjerman Lutzerath për të hapur vend për zgjerimin e një miniere qymyri. Kjo, pavarësisht zotimeve të disa qeverive të njëpasnjëshme gjermane për heqjen dorë nga qymyri deri në 2030. Djegia e karburanteve fosile është provuar shkencërisht se kontribuon në mënyrë madhore në ndryshimet klimaterike që çojnë në ngrohje globale dhe humbje të biodiversitetit natyror (zhdukja e specieve). Pas sulmit rus në Ukrainë dhe krizës energjitike që pasoi Gjermania ka ngadalësuar planet për mbylljen e shpejtë të termocentraleve me qymyr dhe gaz.

Siç duket në videon origjinale nga janë marrë pamjet, gjatë heqjes së protestuesve nga policia, në vendndodhje ka patur një prezencë të madhe mediash, siç ndodh shpesh nëpër protesta. ‘Ekipi i produksionit’ është në të vërtetë një prezencë mediatike që shoqëron shumicën e protestave në epokën e telekomunikacionit.

Një zëdhënëse e Departamentit të Policisë së Aachen tha për Lead Stories se Greta Thunberg dhe disa njerëz të tjerë u shoqëruan nga policia për t’u marrë shënim të dhënat personale dhe më pas u liruan, pasi nuk ishin nën arrest. “Ne nuk jemi figurantë në inskenimin e Greta Thunberg,” theksoi ajo. 

Sa i përket lëvizjes së ngadaltë dhe sjelljes ‘së butë’ të policëve në video, zëdhënësja u shpreh mirënjohëse ndaj tyre për profesionalizmin e treguar. “Gjatë misionit morëm disa kritika shumë të izoluara që puna e medias po kufizohesh, ndërsa tani po diskutohet për foto të inskenuara? Kjo tregon se sa e vështirë është t’u bësh qejfin të gjithëve,” shtoi ajo.

Një zëdhënës i landit Nordrhein-Westfalen tha për BBC se policët dhe Thunberg, siç tregohet në video, po prisnin ardhjen e makinës transportuese. “Duhet të prisnin për disa minuta përpara se ta çonin në një makinë policie të caktuar,” tha zëdhënësi.

Ndërsa gazetari Christian Wernicke, që ishte prezent në vendngjarje, tha për BBC se policët “ishin duke vendosur si do procedonin me verifikimin e identitetit dhe po prisnin ta çonin Gretën tek makina e policisë.”

Vetë Greta Thunberg postoi në Twitter, më 18 janar, për të njoftuar se grupi ku bënte pjesë dhe ajo u ndalua dhe shoqërua nga policia, por më pas u liruan po atë mbrëmje.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img