Pretendimi: Ish-zv.presidenti i Pfizer zbulon se vaksinat anti-Covid shkaktojnë infertilitet
Verdikti: E pavërtetë
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se vaksinat Pfizer shkaktojnë infertilitet. Për të mbështetur këtë teori të pabazuar, është publikuar krahas shkrimit edhe një video e ish-zëvendëspresidentit të Pfizer, tashmë një nga heronjtë e aktivistëve anti-vaksinë.
“Mike Yeadon, ish-zëvendëspresident i Pfizer: ‘Vaksinat e Covid të bazuara në mRNA janë krijuar qëllimisht për të dëmtuar, gjymtuar dhe vrarë dhe për të reduktuar fertilitetin njerëzor”- shkruhet në postimin që shoqëron videon.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Por, kush është Mike Yeadon dhe sa i besueshëm është ai? Referuar një investigimi të bërë nga kolegët e “Reuters”, Yeadon ka qenë një studiues shkencor i gjigandit Pfizer Inc, duke arritur edhe pozicionin e zv.presidentit të divizionit mbi alergjitë dhe frymëmarrjen.
Por në vitin 2011, një dekadë përpara pandemisë së Covid-19, ai bashkëthemeloi një firmë bioteknologjike të re dhe u largua nga Pfizer. Ky largim i hershëm e bën të pamundur që Yeadon të ketë informacion të brendshëm mbi teknologjitë e zhvilluara nga Pfizer si dhe vaksinat kundër Covid, të cilat nisën prodhimin në vitin 2021.
Megjithatë, shkencëtari britanik vijon të konsiderohet si një “i penduar” që ka hequr dorë nga Pfizer dhe denoncon abuzimet e kompanisë me vaksinat.
“Këto pretendime janë të rreme, të rrezikshme dhe thellësisht të papërgjegjshme,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social të Britanisë, kur u pyet për pikëpamjet e Yeadon.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Pfizer nuk pranoi të komentojë mbi Yeadon dhe qëndrimin e tij me kompaninë, por theksoi se nuk ka prova që vaksina kundër Covid-19, të cilën e zhvilloi me partnerin e saj gjerman BioNTech, shkakton infertilitet tek gratë.
Arsyet pse Yeadon u shndërrua nga një shkencëtar i zakonshëm në skeptik të vaksinës COVID-19, mbeten një mister. Shumë postime të tij në fillimin e pandemisë dokumentojnë një ndryshim dramatik në pikëpamjet e shkencëtarit, i cili mbështeste fort vaksinimin.
Disa ish-kolegë në Pfizer thonë se nuk e njohin më Mike Yeadon që njihnin dikur. Ata e përshkruan atë si një njeri të ditur dhe inteligjent, i cili gjithmonë insistonte të shihte prova dhe në përgjithësi i shmangej daljeve publike.
Në artikuj të ndryshëm të verifikuar nga kolegët e “Reuters” janë verifikuar disa deklarata të rreme të bëra nga ish-shkencëtari i Pfizer.
Pretendimet e tij se vaksinat shkaktojnë infertilitet tek gratë janë hedhur poshtë në një sërë studimesh.
Shëndeti Publik në Angli këshilloi fillimisht që gratë shtatzëna të mos merrnin një vaksinë COVID-19 ndërsa prisnin më shumë të dhëna. Këshilla të reja u bënë publike në prill 2021, pasi të dhënat nga SHBA treguan se 90,000 gra shtatzëna ishin vaksinuar në mënyrë të sigurt.