Pretendimi: Zbulohen prova për lidhjen e Lionel Messit me pedofilin e pasur Jeffrey Epstein
Verdikti: E pavërtetë, foto e gjeneruar me AI
Vjolanda Peca
Një valë reagimesh ka krijuar në rrjetet sociale ndarja e një fotoje të yllit të futbollit Lionel Messi në shoqërinë e miliarderit famëkeq Jeffrey Epstein. “Dëshmohen para gjykatës prova të tjera. Mesi ka qenë në ishullin e pedofilit Jeffrey Epstein”- shkruhet në postimin që shoqëron këtë foto.
Pjesë e montazhit është edhe një foto e Mesit duke larë një bebe, duke synuar të përforcojë më tej akuzën për përfshirje në abuzimet seksuale me të mitur në rrjetin e krijuar nga Epstein. Faktoje vendosi të verifikojë të dyja fotot për të zbuluar se bëhet fjalë për një manipulim.
Fotoja e parë, ajo e Messit me një fëmijë të vogël, rezulton se është e vërtetë, por është shkrepur në vitin 2007 në një set fotosh për një kalendar bamirësie të klubit spanjol të Barcelonës.
Foshnja në foto është Lamine Yamal, talenti spanjoll 16-vjeçar, i cili u bë lojtari më i ri që ka luajtur në Kampionatin Evropian, që po zhvillohet në Gjermani. Fotot u rishfaqën këto ditë pasi babai i Yamal i postoi në Instagram javën e kaluar me tekstin “fillimi i dy legjendave”. Sigurisht, nuk kemi të bëjmë me asnjë dyshim për abuzim ndaj një foshnjeje nga ana e yllit argjentinas.
Përsa i përket imazhit të Messit dhe Epstein, një kërkim i imazhit në Google Lens tregon se ashtu si edhe personazhe të tjera të politikës dhe artit, edhe foto e Messit është e manipuluar. Postimi rezulton se ështe publikuar fillimisht më 6 janar 2024 nga një profil, që e cilëson veten si parodi.
Eksperti i inteligjencës artificiale, Matias Karlsson, i tha kolegëve të AFP-së se fotoja “qartësisht është gjeneruar nga inteligjenca artificiale, e cila zakonisht nuk është e mirë në gjenerimin e teksteve dhe detajeve të vogla për ta bërë imazhin autentik.”
Provat për krijimin e fotos nga Inteligjenca Artificiale
Ai shtoi se disa nga defektet përfshijnë pozicionin e duarve dhe gishtave të personazheve në foto. Një tjetër e dhënë është dhe mungesa e një tatuazhi në këmbën e majtë të Messit. Në vitin 2013, kur erdhi në jetë djali i tij i parë, Messi bëri një tatuazh në këmbë, gjë që nuk rezulton në foton me Epstein.
Nëse kjo foto do të ishte bërë para 2013, Messi duhet të kishte një tjetër pamje të flokëve dhe mjekrës si dhe disa vite më pak në supet e tij.
Ky rast është një shembull i qartë i rrezikut të përhapjes së informacionit të rremë dhe manipulimit të imazheve nëpërmjet inteligjencës artificiale. Ndërkohë që teknologjia përparon, bëhet edhe më e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm dhe të verifikojmë burimet përpara se të besojmë dhe të shpërndajmë informacione.