Pretendimi: Këto janë fotot e ish-presidentit Trump nën shoqërinë e vajzave të mitura
Verdikti: E pavërtetë
Vjolanda Peca
Manipulimi i fotove dhe krijimi i tyre nga Inteligjenca Artificiale, me qëllim njollosjen e imazhit, nuk ka kursyer edhe ish-presidentin dhe kandidatin republikan për zgjedhjet e nëntorit, Donald Trump.
Disa foto të tij në shoqërinë e vajzave të mitura dhe personazhit famëkeq, Jeffry Epstein, po qarkullojnë në rrjet pas shpalljes fajtor të Trump për fshehjen e pagesës së një aktoreje të filmave pornografikë gjatë fushatës elektorale të vitit 2016.
Fotot shoqërohen me një postim ironik, në formën e një diçiture: “Foto të dy burrave dhe disa adoleshenteve, që nuk njihen me njëri-tjetrin”.
Postimi i fotografive të Trump dhe Epstein në rrjetin Facebook
Nëpërmjet këtyre imazheve synohet që të vihet në dukje se Trump ishte një nga klientët e Epstein.
Jeffrey Epsteinin, financieri amerikan u akuzua në vitit 2019 se kishte shfrytëzuar dhjetra të mitura në festa luksoze në shoqërinë e njerëzve të pasur dhe politikanëve të fuqishëm. Emra të njohur si ish-presidenti amerikan Bill Clinton, magjistari David Copperfield dhe Princi Andreë i Mbretërisë së Bashkuar, janë publikuar në regjistrat e fluturimeve në ishullin ku zhvilloheshin festat e Epstein.
Duke verifikuar më tej fotot, ato shfaqin Trump dhe vajzën e tij Ivanka pranë Epstein, një tjetër tregon Trump dhe Epstein ulur në një divan me një vajzë, dhe imazhi i tretë tregon Trump dhe Epstein ulur me dy vajza në një divan ngjyrë bezhë.
Një kërkim në motorin e Google Image, zbulon se te treja këto imazhe janë të rreme dhe të krijuara me inteligjencë artificiale.
Imazhi i Trump me Ivanka dhe Epstein rezulton të jetë krijuar duke bashkuar dy fotografi të ndryshme, njëra nga 1993 dhe tjetra nga 2005.
Fotot e përdorura për të bërë manipulimin
Imazhet e tjera gjithashtu tregojnë mospërputhje në pozicionin e duarve dhe gishtave të personazheve në foto apo edhe mungesën e këmbëve të Esptein në pjesën e poshtme të fotos, një problem që vihet re shpesh në fotot e krijuara nga Inteligjenca Artificiale.
Fotot e modifikuara ku dallohen disa gabime
Ndërsa fotografi të Trump dhe Epstein janë publikuar më parë nga media, imazhet aktuale që qarkullojnë janë të rreme. Fotot janë manipuluar digjitalisht dhe janë gjeneruar me Inteligjencën Artificiale.