Pretendimi: Këto imazhe provojnë ekzistencën e qytetërimeve të lashta shumë të avancuara teknologjikisht

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Dy figura që duket se tregojnë teknologji të kohëve të sotme që shfaqen në gdhendje nga qytetërime të lashta po qarkullojnë në rrjet si provë se këto teknologji kanë ekzistuar shumë më herët.

Imazhi i parë tregon një hieroglif egjiptian që mban në dorë dy objekte, një prej të cilëve i përngjan simbolit që përdoret në ditët e sotme për Wi-Fi.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se ky hieroglif është gdhendur në muret e dhomës së blatimeveTempullin e Horusit në Edfu. ai tregon faraonin Ptoleme IV duke i ofruar blatime perëndive. Në këmbët e tij duket shëmbëlltyra e një kafshe që do të flijohet.

Sipas arkeologut Fredrik Trusohamn, ai që përngjan me simbolin e Wi-Fi, në të vërtetë përfaqëson brinjët e kafshës së flijuar.

Figura e dytë, e cila ka një stil pamor të ngjashëm me artin aztek, tregon një figurë të ulur përpara një kompjuteri.

Megjithatë, kjo nuk është aspak e pazakontë, pasi vetë figura është prodhuar me kompjuter. Me anë të Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se ajo është botuar në 2006 në revistën amerikane Strange Horizons dhe është krijuar nga artisti meksikan Raul Cruz.

Sipas artikullit në Strange Horizons, “arti i Raul, i frymëzuar nga arti aztek dhe majan, përzjen elementë tradicionalë me tematika fantastiko-shkencore dhe fantastike.”