Pretendimi: Salwan Momika, personi që dogji Kuranin në Suedi, u gjet i vdekur në Norvegji

Verdikti: E pavërtetë

———————————-

Prej 1 prillit, në rrjete sociale po qarkullon lajmi se Salwan Momika, një emigrant iraken, i cili njihet dhe urrehet për djegien publike të Kuranit në Suedi, është gjetur i vdekur në Norvegji. Ky postim i faqes në Facebook “Gazeta Selam” ka marrë mbi një mijë pëlqime.

Megjithatë, si zakonisht, këto postime nuk japin asnjë burim apo referencë për pretendimin e tyre.

Salwan Sabah Matti Momika, një refugjat iraken dhe kritik i Islamit, njihet për demonstratat e tij në Suedi, ku ai ka djegur Kuranin. Ai u largua nga Iraku në 2018 si azilkërkues dhe mori lejeqëndrimi suedez në 2021.

Në Mars 2024, 37-vjeçari deklaroi në Twitter se ishte larguar nga Suedia për në Norvegji, ku ndodhej “nën mbrojtjen e autoriteteve norvegjeze.”

Më 2 prill 2024, njësia e emigracionit e policisë norvegjeze tha për median daneze TV2 se Momika është gjallë dhe nën mbikëqyrjen e tyre.