Përdorimi i panxharit të kuq ka vërtet përfitime shëndetësore, por është e
ekzagjeruar ideja e kthimit të shikimit apo heqjes së dhjamit nga mëlçia, sikurse
pretendon një artikull në portalin healthdoodin. Përmes një personazhi të rremë,
portali në fjalë rekomandon një recetë popullore me përbërës kryesor panxharin
duke tërhequr lexuesit në klikime, veçanërisht moshat e mëdha.
Panxhari i kuq njihet për vlera të shumta shëndetësore, duke qenë se është i pasur
me vitamina, minerale dhe përbërës organikë si karotenoidi, vitamina C, magnezi,
hekuri, bakri dhe fosfori. Këtë fakt, portali healthfoodin.com e ka keqpërdorur për
të tërhequr klikime nga lexuesit e moshave të treta, duke pretenduar se përdorimi i
panxharit kombinuar me disa përbërës të tjerë mund të rikthejë shikimin si dhe të
heqë dhjamin nga mëlçia.
Për ta bërë sa më të besueshëm artikullin portali ka përdorur një fotografi të një personi të moshuar shoqëruar me titullin: “Unë jam 60 vjeç, ja si e kam rikthyer shikimin dhe kam hequr qafe dhjamin nga mëlçia.”
Por titulli dhe fotografia nuk kanë asnjë lidhje me brendësinë e shkrimit. Ky është rasti tipik i mashtrimit të lexuesve përmes titujve bombastikë, në përpjekje për të fituar klikime.
Shkrimi jep vetëm informacione mbi vlerat që ka konsumimi i panxharit, shoqëruar me një recetë popullore, ku kjo perime kombinohet me disa produkte të tjera.
‘Konsumimi ditor do të pastrojë zorrën e trashë, mëlçinë dhe do të përmirësojë shikimin tuaj. Siç mund ta shihni, panxhari është vërtet i shëndetshëm dhe ushqyes, prandaj duhet të bëhet pjesë e dietës suaj të përditshme.’ – shkruhet ndër të tjera në artikull.
Nga një kërkim në rrjet rezulton fotografia e përdorur në shkrim është foto ilustruese e marrë nga databazat e internetit.
Në lidhje me efektin e panxharit ndaj mëlcisë, ekzistojnë disa efekte pozitive të konstatuara në trajtimin e minjve në laborator në të cilët ishte injektuar lëndë toksike. Ky studim i publikuar në revistën National Library of Medicine, në vitin 2014, mbetet i kufizuar dhe nuk është zbatuar mbi njerëzit. Një studim i tillë mund të vërtetojë efektet anti-inflamatore të një dietë me panxhar nga njerëzit.
Për rikthimin e shikimit, ashtu siç pretendohet në titullin e shkrimit, nuk ekzistojnë studime të mirëfillta dhe duket e vështirë që të provohet një efekt i tillë.