BallinaTë pambajturaTë diskriminuar, banorët e Ish-Kënetës peng i premtimeve të pambajtura për rrugët

Të diskriminuar, banorët e Ish-Kënetës peng i premtimeve të pambajtura për rrugët

GERI EMIRI

Banorët e 3 rrugëve që përshkojnë “Durrësin e Ri” jetojnë prej dekadash midis ndotjes mjedisore të shkaktuar nga ujërat e përdorura, që shkarkohen në kanale të hapura. Me një vendim që ka vërtetuar diskriminimin ndaj tyre, ata mbeten në pritje të realizimit të rikonstruksionit të rrugëve të premtuara, por ende jo të përfunduara.

——–

Baki Myrtollari u vendos në zonën e Ish-Kënetës në fillim të viteve 2000. Pak nga pak së bashku me fqinjët e transformuan fushën në një zonë të banuar, që tashmë përfaqëson “Durrësin e Ri”. Por investimet e banorëve nuk ecnin paralelisht me ato të pushtetit vendor. Të gjendur të papërgatitur autoritetet vendore e qëndrore nuk investuan për ndërtimin e rrjetit rrugor, ndriçimit, kanalizimeve dhe shërbimeve të tjera urbane.

Gjendur përballë apatisë së institucioneve Bakiu nisi të mblidhte fqinjët për të organizuar qëndrime dhe kërkesa ndaj përfaqësuesve në pushtetin vendor.

“Unë e kam nisur që herët me takime me bashkinë e deputetët. Por zyrtarisht me dokumente kam nisur ta ndjek që nga viti 2017-të”, rrëfen burri, që tashmë njihet si një aktivist dhe jo vetëm banor i rrugës “Azem Hajdari”.

Kërkesat e vazhdueshme paraqitur përmes peticioneve, takimeve informale, shkresave zyrtare dhe protestave morën vëmendjen e Organziatave të Shoqërisë Civile, që ofruan ekspertizë dhe mbështetje ligjore për banorët.

Kalvari i tyre u duk sikur mori zgjidhje kur u përfshi qeveria shqiptare dhe i dedikoi buxhet investimit në zonë, por pavarësisht premtimeve për zgjidhje banorët janë ende me sytë nga rruga.

“Do të vazhdojmë investimin menjëherë në muajin mars të rehabilitimit të rrugës Miqësia, do të vazhdojmë rehabilitimin e [rrugës] ‘Azem Hajdarit’, Rruga ‘Gjelbërimi’ dhe Rruga ‘Vala e Detit'”, premtoi kryebashkiakia Emiriana Sako gjatë fushatës së zgjedhjeve në muajin mars.

Tabela e punimeve në fillim të rrugës “Miqësia”

Por teksa punimet në Rrugën “Miqësia” nisën në muajin prill, më vonë se premtimi i Sakos, në rrugën tjetër “Azem Hajdari”, ende nuk ka shkelur këmbë punëtori.

Teksa përgjegjësia për vijimin e tyre ka mbetur midis qeverisë, në nivel vendor dhe qendror, pa arritur ende të konkretizojnë premtimin që banorët kanë dëgjuar nga partitë politike në disa fushata të viteve të fundit.

Çështja përfundoi në foltoren e Kuvendit

Rruga ‘Azem Hajdari’ përshkon përmes një zonë të banuar, por nuk ofron asfalt, trotuare, gjelbërim dhe bashkëshoqërohet nga një kanal natyral i ujërave të përdorura.

Baki Myrtollari dhe banorët e zonës ishin në pritje të përfundimit të projektit të Bashkisë Durrës për rehabilitimin e rrugës, por situata u përmbys kur më 30 qershor 2021 qeveria shqiptare e përfshiu rikonstruksionin e rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi” në programin e rindërtimit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit u caktua si njësi zbatuese për rrugët që përkojnë me zonën e re për zhvillim numër 4 dhe u caktua fondi me vlerë 1,400,276,890 lekë pa TVSH ose rreth 11 milion euro.

Vendimi i qershorit 2021

“Por kjo u ndryshua me një vendim të dytë, e ky fond u kalua diku tjetër”, kujton Baki Myrtollari.

Fill një maj pasi e kishte miratuar fondin, me një vendim tjetër të Këshillit të Ministrave u shfuqizua vendimi për financimin e rikonstruksionit të rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”.

Vendimi i korrik 2021

Problemi shumë vjeçar që është gangrenë mjedisore për shkak të derdhjes së ujërave të ndotura të të gjithë zonës urbane dhe mungesës së infrastrukturës rrugore detyroi banorët të gjenin forma të reja advokimi.

“Rruga realisht me dokumente u bë e prekshme pasi unë nëpërmjet deputetëve të Partisë Demokratike kam kërkuar një interpelancë në pralamentin shqiptar dhe atje nëpërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të rindërtimit, Arben Ahmetaj, është konfirmuar që rruga do të bëhet”, rrëfen Myrtollari.

“Këtu ke të dyja vendimet e Këshillit të Ministrave, njëri që e jep dhe ju ngarkon ju që të bëni rrugët dhe tjetri që e zhbën dhe ju ngarkon përsëri ju që ta zhbëni vendimin”, parashtroi deputeti i Partisë Demokratike për Durrësin, Ferdinand Xhaferaj sipas procesverbalit të seancës plenare të 28 tetorit 2021.

“Arsyeja e drejtpërdrejtë e ndryshimit është për të futur të dyja rrugët brenda një PDV-je (plani të detyruar vendor) më të gjerë, në mënyrë që rrugët të funksionojnë më mirë për qytetarët…”, argumentoi ministri i shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj, duke shtuar se 3 rrugët do të realizoheshin përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nisur zbatimin e projektit ‘Rikonstruksioni i rrugëve Vala e Detit dhe Azem Hajdari, LOT III dhe LOT IV…investim me financim nga qeveria shqiptare në vlerën 406,976,617 lek (pa TVSH)”, u përgjigj zyrtarisht FSHZH për Median Amfora.

“Na kanë thënë që në momentin që do e fillojmë punën do vendosim tabelën, por ne sot nuk shikojmë tabelë”, rrëfen Baki Myrtollari, banor në Rrugën “Azem Hajdari”.

Nga vëzhgimi në terren pavarësisht alokimit të fondit dhe premtimeve, punimet në këtë rrugë nuk kanë nisur ende, por vetëm në 2 rrugët e tjera, “Miqësia” dhe “Vala e Detit”.

“Punimet parashikohet të përfundojnë për një periudhë kohore prej afërsisht 3 muajsh, pas lirimit të sheshit të ndërtimit”, sqaroi zyrtarisht FSHZH, pa dhënë detaje se kur kanë nisur ato zyrtarisht.

Tabela në krye të Rrugës “Miqësia” jep afatin e nisjes së punimeve muajin prill 2022, por jo të mbarimit të tyre. FSHZH në përgjigjen për Median Amfora evidentoi si faktor për vonimin e punimeve procesin kompleks, ndër to zgjidhjet e problematikave të pronësisë.

Pavarësisht nevojës për bashkëpunimin e institucioneve të pushtetit vendor që rendit FSHZH dhe shpronësimet e banesave në aksin e 3 rrugëve që do të zgjerohen, Bashkia Durrës shprehet se nuk ka asnjë lidhje me procesin.

Përgjigja nga ana e bashki Durrës

“Nga ana jonë nuk kemi të administruar projektin mbi rehabilitimin e kësaj rruge”, u përgjigj zyrtarisht Bashkia Durrës, duke saktësuar se zbatimi i saj i ka kaluar i gjithi FSHZH-së.

Banorë të ndryshëm paraqitën njoftimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që i është përcjellë përgjatë muajit maj se janë skualifikuar nga procesi i legalizimit për shkak të zonës së re për zhvillim të rindërtimit dhe të rikonstruksionit të 3 rrugëve.

Por banorët ende nuk kanë marrë një orientim për formën e kompensimit pas prishjes së banesave, kur do nisi procesi dhe qeveria apo Bashkia Durrës nuk i ka përcjellë ende njoftim për çështjen.

“Deri më sot nuk ka transparencë dhe është tepër hermetike, e fshehtë dhe po të shohësh ka një mbyllje totale që ne si komunitet ose mediat të mos kenë asnjë lloj informacioni për të”, u shpreh i indinjuar Baki Myrtollari.

Baki Myrtollari duke folur për Median Amfora, në Rrugën “Azem Hajdari”

Të diskriminuar dhe të zhytur midis ndotjes mjedisore

Banorët e 3 rrugëve më shumë se nevojë për asfalt kanë rehabilitimin e rrjetit të ujërave të përdorura dhe kanalit që përshkon rrugët, i cili mbledh shkarkimet e banesave dhe përmes rrjetit të kanaleve bujqësore derdhen në Detin Adriatik.

Ndotja mjedisore në rrugën “Azem Hajdari”. Foto Geri Emiri

“Këtu nuk jetohet nga era e keqe. Ne na kanë ikur fëmijët, nuk vijnë po nuk u bë rruga, pra jemi njerëz të mbaruar vetëm për rrugën”, u shpreh për Median Amfora, Frrok Frroku, banor i Rrugës “Azem Hajdari”.

Ai e la Vaun e Dejës në vitin 2004 dhe zgjodhi të ndërtonte shtëpinë në Zonën e Ish-Kënetës, por shpejt mbeti vetëm me bashkëshorten pasi fëmijët u larguan për shkak të ndotjes së lartë.

“Tani nuk vijnë më as fëmijët këtu për të jetuar po nuk u bë kanali. Janë bërë shtëpitë e rrinë këtu sikur të jetë kishë, se nuk ka njeri brenda. Vetëm unë me gruan jam”, rrëfen 80 vjeçari që vuan nga disa sëmundje dhe e ndjen mungesën e fëmijëve.

Frrok Frroku duke folur për Median Amfora, në Rrugën “Azem Hajdari”

Ndotja e zonës është vërtetur edhe përmes matjeve shkencore të realizuara nga ekspertë mjedisi të kontraktuar nga Qendra Durrësi Aktiv në vitin 2021. Cilësia e ujërave që mblidhen në kanalin midis zonës së banuar rezultoi e keqe, me ngarkesë të lartë me intrate e fosfate, duke krijuar një mjedis ujor pa oksigjen.

Përmes banorëve të zonës dhe Organizatave të Shoqërisë Civile çështja përfundoi tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili me vendimin numër 61, të 13 prillit 2021 vendosi, “Konstatimin e diskriminimit të banorëve të zonës së ish-Kënetës, në rrugën “Gjelbërimi” dhe rrugën “Azem Hajdari” për shkak të vendbanimit, nga ana e Bashkisë Durrës”.

“Ne kemi bërë një padi në Gjykatën Administrative sepse jemi të diskriminuar si banorë. Në prill të këtij viti e dërguam bashkinë në gjykatë”, shpjegon Frrok Frroku, i cili është paditës në cilësinë e banorit të zonës dhe përfaqëson komunitetin.

“Kam kaluar në alergji se këtu bashkohej uji për të pirë me ujërat e pista dhe jam shtruar në spital, kam qenë duke vdekur”, kujton burri.

“Një nip që ka lindur këtu është autik, nga ky ujë e ky vend. Nusja e djalit sa ka ardhur këtu ka rënë në depresion, ka raport”, shton ai.

Frroku kërkon nga Bashkia Durrës shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga sjellja diskriminuese dhe kompensimin e dëmit jopasuror, krijuar në formën e dëmit moral dhe apelon për përfundimin e projektit të rehabilitimit të rrugës “Azem Hajdari”.

  • Nisur nga deklarata e kryebashkiakes Emiriana Sako, përgjigjet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bashkisë Durrës dhe verifikimi që mediat Amfora dhe Faktoje realizuan në terren, këtë premtim do ta kategorizojmë “TË PAMBAJTUR”.

 

*Ky shkrim u publikua si një bashkëpunim i Medias Amfora me Median Faktoje.al, pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë – Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img