BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingSa kurseu qeveria me fikjen e dritave në akset rrugore?

Sa kurseu qeveria me fikjen e dritave në akset rrugore?

Ina Allkanjari

Në mars të këtij viti qeveria mori si masë, në kuadër të krizës, ndërprerjen e energjisë elektrike në disa prej akseve rrugore në orët e mbrëmjes. Nga një kërkim i Faktoje rezulton se që prej 20 marsit deri në mesin e muajit maj, janë kursyer rreth 91 mijë euro, një shumë e papërfillshme sipas ekspertëve. Nga ana tjetër kjo masë duket se nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të aksidenteve, po t’u referohesh shifrave të Instat për periudhën mars-prill të vitit 2021 dhe 2022.

———-

“ARRSH në bashkëpunim me OSHEE do të marrin masat për ndërprerje të energjisë elektrike në disa akse rrugore kombëtare, si Tiranë-Durrës, Qafë Kashar-Rinas, Korçë-Ersekë, Lin-Pogradec etj. Po ashtu ndërprerje do të ketë edhe në akset kombëtare në degëzim, siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hani i Hotit.”

Kështu deklaroi në 20 Mars Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një konferencë për mediat teksa paraqiti masat e marra në vend për kufizimin e energjisë, kjo për shkak të situatës së vështirë të krijuar në vend prej mungesës së reshjeve.

Nisur nga kjo deklaratë, në datë 25 Mars Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE se në cilat akse në vend është kufizuar energjia elektrike, sa është parashikuar të zgjasë ky kufizim dhe sa energji elektrike është parashikuar të kursehet.

Kërkesa për informacion drejtuar MIE, datë 25.03.2022

Rreth 2 muaj pas dërgimit të kërkesës për informacion pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në datë 10 Maj ky institucion na vuri në dispozicion informacionin e kërkuar.

Në përgjigjen për Faktoje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shkruan se ora e ndërprerjes së ndriçimit në akse rrugore ka filluar në datë 21.03.2022, ora 18:00, ndërsa vazhdimësia e ndërprerjes do të jetë për sa kohë do te jetë, në fuqi ky vendim, duke mos dhënë një afat se sa do të zgjasë kufizimi.

Në lidhje me sasinë e energjisë së kursyer me marrjen e këtyre masave ministria na vendosi në dispozicion tabelën e mëposhtme:

Tabela me sasinë totale të energjisë në KWh e përfituar nga reduktimi i ndricimit në akset rrugore kombëtare dhe ndërqytetase

Në tabelën e vënë në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, evidentohet sasia e energjisë në KWh e përfituar nga reduktimi i ndriçimit në akset rrugore të 11 qyteteve. Në total për periudhën kohore nga 21 mars 2022 deri në 1 maj 2022 ministria shkruan se janë përfituar 568 644 KWh ose rreth 568 MWh.

Eksperti i energjitikës Lorenc Gordani tregon për Faktoje, se sa ka përfituar shteti ynë nga reduktimi i energjisë elektrike në rrugë për periudhën e mësipërme.

“Tabela e vënë në dispozicion nga ministria tregon se sasia e energjisë së përfituar për qytete të ndryshme është përcaktuar në KWh. Si fillim totali i energjisë së përfituar nga ky reduktim për një periudhë rreth 2 mujore është 568 644 KWh ose rreth 568 MWh. Nëse marrim një mesatare të çmimit të 1 MWh rreth 160 euro, atëhere na figuron që kursimi total nga të gjithë qytetet për këtë periudhë kohe është rreth 91 mijë euro”, u shpreh eksperti i energjitikës Lorenc Gordani.

Faktoje iu drejtua ekpertëve të ekonomisë për të një opinion se sa ndikim ka kursimi i kësaj sasie energjie nga ndërprrja e saj në akset rrugore.

“Duke marrë parasysh shumën e përfitimit për një periudhë rreth 2 mujore, do të thoja që është e papërfillshme. Nga kjo masë qeveria ka kursyer në total rreth 91 mijë euro nëse e llogarisimim MËh me 160 euro, ky kursim nuk është asgjë. Në shtet kjo shumë shpërdorohet për lloje të ndryshme procedurash, ndaj nuk mund të them se kjo masë e ndërmarrë është efikase”.

Në 5 rajone te vendit numërohen te pakten 14 akse ku ndërpritet energjia elektrike me qëllim kursimin e saj, sipas urdhërit të qeverisë. Akset në te cilat është aplikuar ky reduktim iu dërguan Faktojes nga ARRSH, pas kërkesës për informacion.

Akset në te cilat është aplikuar reduktimi energjisë elektrike, sipas ARRSH

Po sipas përgjigjes zyrtare, numërohen edhe 34 akse të tjera, jashtë listës së ARRSH ku po aplikohet ndërprerja e energjisë elektrike, 9 prej të cilave janë në rajonin Tiranë dhe 9 në Burrel.

Akset ku është aplikuar reduktimi energjisë elektrike, jashtë listës së ARRSH

Foto 26 Prill, autostrada Tiranë-Durrës

Foto 26 Prill, autostrada Tiranë-Durrës

 Faktoje iu drejtua ekspertit për aksidentet rrugore Artur Sulçe, për të mësuar nëse vendimi i qeverisë për kufizimin e energjisë në rrugë ka sjellë pasoja në shtimin e numrit të aksidenteve.

“Duhen parë të gjithë statistikat se çfarë aksidentesh kanë ndodhur në kryqëzime, çfarë lloj aksidentesh. Po kur ndodh një aksident nuk specifikohet në këtë mënyrë, por thuhet aksidenti në zona urbane dhe në zona ekstra urbane, apo përcaktohet aksident midis mjetit dhe këmbësorit etj. Pra nuk jepet në funksion të shkeljes, nuk tregohet nëse aksidenti ka ndodhur në kryqëzim. Ndërprerja e energjisë elektrike lidhet vetëm me kryqëzimet, sepse njerëzit e kanë shumë të vështirë të kuptojnë përparësinë etj. Pra nuk kemi të dhëna të sakta në lidhje me këtë gjë.

Ndërprerja e energjisë, sidomos në rrugët kryesore apo autostrada nuk shkakton asnjë problem për shkak se korsitë janë të ndara”, u shpreh Sulçe.

Edhe pse mungojnë detajimet në lidhje me vendndodhjen e aksidenteve, për të kuptuar nëse shkak është bërë mungesa e ndriçimit në rrugë sipas shifrave të Instat në fakt rezulton një ulje e numrit të tyre gjatë periudhës mars-prill të këtij viti në krahasim me një vit më parë. Në mars-prill 2021 kanë ndidhur gjithsej 223 aksidente gjithsej, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti raportohen 193 aksidente.

Tabela me numrin e aksidentet rrugore  në periudhën Shkurt-Prill 2022 dhe 2021, INSTAT

Megjithatë mbetet për t’u verifikuar sesi do të ndikojë masa për ndërprerjen e energjisë, e cila është ende në fuqi, gjatë sezonit turistik kur rritet numri i automjeteve në qarkullim edhe në orët e mbrëmjes me nisjen e sezonit turistik. Kujtojmë që një vit më parë zbatoheshin  kufizimet e lëvizjes pas mesnate në kuadër të pandemisë Covid-19.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img