.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashTanket shqiptare nuk sulmuan forcat ruse në Letoni

Tanket shqiptare nuk sulmuan forcat ruse në Letoni

Tanket e NATO-s dhe aq më pak të Shqipërisë, nuk kanë sulmuar ushtrinë ruse. Titulli është një keqintepretim për lajmin e një stërvitje të përbashkët të trupave ushtarake të aleancës së Atlantikut të Veriut në Letoni.

 

Zhvillimet mbi luftën Rusi-Ukrainë janë në qëndër të raportimeve mediatike në mbarë botën. Ndjeshmërinë e lartë që kanë lexuesit mbi këtë zhvillim aspak të zakontë për kohët ku jetojmë, disa media e shfrytëzojnë për të ngjallur interes dhe rritur klikimet. I tillë është dhe rasti i një artikulli të publikuar online më 18 nëntor në gazetën Tema, me titullin: “Mes tyre edhe shqiptarë, tanket e NATO-s qëllojnë ndaj forcave ruse! Çfarë ndodhi dje në Letoni” .

Titulli le të kuptohet se NATO ka sulmuar forcat ruse në Letoni dhe për ta bërë edhe më tërheqës lajmin për lexuesit shqiptarë përmendet prania e trupave tona në këtë ‘sulm’ ndaj rusëve. Ndërkohë në brendësi të artikullit sqaron se bëhet fjalë për një stërvitje shumë të rëndësishme të aleancës.

“Forcat e NATO-s të vendosura në Letoni kanë zhvilluar një stërvitje të rëndësishme gjatë ditës së djeshme në zonën përreth duke qëlluar edhe me armë të vërteta kundrejt forcave “armike”. Sipas faqes në Facebook të komandës së këtyre forcave, ku bën pjesë edhe një ekip EOD nga Shqipëria, forcat e blinduara kryen një aksion të rendësishëm gjatë ditës së djeshme duke “identifikuar dhe neutralizuar” mjetet ushtarake “armike”.”– shkruhet ndër të tjera në artikullin e publikuar nga gazeta Tema.

Për të bërë lidhjen e këtij shkrimi që flet për një stërvitje me titullin ‘bombastik’ që i ka vendosur lajmit, shkrimi mbyllet me këto fjali:

“NATO është në një konflikt të hapur me ushtrinë e Putinit pas sulmit të këtyre të fundit. Edhe pse nuk jemi në luftë direkte, është e qartë se “armiku” është në fakt Rusia dhe forcat e NATO-s janë stërvitur pikërisht për “identifikimin dhe neutralizimin” e mjeteve ushtarake ruse, në një shtet kufitar me Rusinë, siç është Letonia.”

Por ndërsa në tekst, të gjitha identifikimet armik apo forca ruse, janë vendosur në thonjëza, nuk është treguar i njëjti kujdes në titullin e artikullit.

“Faktoje” vendosi të verifikojë më tej edhe detajet e tjera të stërvitjes. Sipas faqes zyrtare në Facebook, stërvitja IRON SPEAR u zhvillua në Kampin Adazi nga data 14-17 nëntor. Stërvitja përfundoi me një garë të quajtur “Kërko dhe ik”, e cila testoi aftësitë e ekuipazhit për të gjetur ‘armikun’ dhe më pas për të lëvizur me shpejtësi përgjatë një kursi të caktuar pengesash.

Ekuipazhet nga kombe të ndryshme kërkuan dhe gjetën objektiva me radio. Bravo Zulu për 34 ekipet nga 13 vendet pjesëmarrëse të NATO-s. Ne stërvitemi së bashku sepse jemi më të fortë së bashku.” – shkruhet në profilin zyrtar në Facebook të stërvitjes.

 

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img