BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookIrani nuk ka dënuar 15 mijë protestues me vdekje

Irani nuk ka dënuar 15 mijë protestues me vdekje

Së fundmi një lajm se shteti iranian do të ekzekutojë 15 mijë persona ka qarkulluar edhe në mediat shqipfolëse. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se kjo shifër është e ekzagjeruar. Në të vërtetë, parlamenti iranian ka kërkuar dënim të rreptë për protestuesit dhe disa janë dënuar me vdekje, por jo 15 mijë prej tyre. 

————————————————-

Në vazhdën e protestave masive në Iran, shkaktuar nga vdekja e Mahsa Aminit më 16 shtator, disa media, duke përfshirë dhe ato shqipfolëse, raportuan në mes të Nëntorit se shteti islamik u ishte përgjigjur kësaj lëvizjeje duke dënuar 15 mijë protestues me vdekje. Lajmi u shpërnda edhe nga kryeministri kanadez Justin Trudeau në Twitter.

Megjithëse një reagim i tillë mund të duket jo i pazakontë nga një regjim totalitar si ai i Iranit, pretendimi se 15 mijë protestues janë dënuar me vdekje rezulton të jetë i pavërtetë.

Ky pretendim i rremë duket se është formuar nga disa të vërteta që janë ngatërruar me njëra- tjetrën duke kaluar nga një media në tjetrën, nga një rrjet social në tjetrin. 

Organizata e bazuar në ShBA “Human Rights Activists News Agency” raportoi më 15 nëntor se mbi 15 mijë persona ishin arrestuar gjatë protestave në Iran. Ndërkohë një përfaqësues i OKB në Iran tha për CNN se 14 mijë persona ishin arrestuar.

Media shtetërore iraniane IRNA raportoi se shumica e parlamentit iranian kishin firmosur një letër të hapur që i kërkonte gjyqësorit ndëshkim të shpejtë dhe të rreptë për protestuesit e arrestuar. Kjo letër, megjithatë, nuk specifikonte ndëshkimin me vdekje. OKB dënoi letrën e parlamentit si “shkelje flagrante e ndarjes së pushteteve.”

Siç evidentohet dhe nga letra e parlamentit, nuk është ky i fundit që vendos për ndëshkimin, por sistemi gjyqësor i Iranit. Ky gjyqësor ka dënuar me vdekje katër protestues deri në shkrimin e këtij artikulli. Këto dënime janë paraprake dhe mund të apelohen.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se dënimet me vdekje në Iran janë të shpërfillshme. Sipas Amnesty International, në gjysmën e parë të 2022 Irani ekzekutoi të paktën 251 persona. Shteti totalitar islamik mban vendin e parë për numrin e ekzekutimeve për banor.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img