Pretendimi: Tanket ruse në kufi me Poloninë janë bërë gati për luftë

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Më datë  10 shtator, disa dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake. Dronë ruse u panë po ashtu në ditët në vijim edhe në Rumani, një tjetër antare e NATO-s, duke shkaktuar ankth te qytetarët. Informacione dhe spekulime të ndryshme mbi këtë sulm dhe pasojat e tij qarkulluan në media shpesh edhe pa verifikime të mëtejshme. Në këtë situatë paniku, rrjetet sociale shqiptare shpërndanë lajmin se tanke ruse janë parë në kufirin që ndan Poloninë nga Bjellorusia. 

Në disa raste, ky lajm është publikuar me tituj që ngjallin panikun tek lexuesi pasi flitet për këtë veprim si një shpallje lufte. Në fakt, pamjet nga tanket ruse  janë pjesë e disa ushtrime që Rusia po kryen me Bjellorusinë, dhe nuk tregojnë se Rusia po bëhet gati të pushtojë Poloninë, apo se ka nisur një luftë e re botërore. 

Midis datës 12 dhe 16 shtator 2025, Rusia dhe Bjellorusia zhvilluan stërvitje të përbashkëta ushtarake masive të quajtura “Zapad-2025” në Bjellorusi, të cilat përfshinin tanke dhe pajisje të tjera ushtarake. Pamjet e këtyre tankeve u kapën në një vend stërvitjeje pranë Barysaw, Bjellorusi, rreth 100 milje larg kufirit polak. Një transportues i blinduar rus BTR-22 u vu re gjithashtu në Grodno, qytet bjellorus pranë kufirit me Poloninë. Ndërsa këto manovra rritën tensionet, asnjë tank rus nuk kaloi në territorin polak ose nuk u dislokua në kufi. 

Në mediat sociale, lajmi u përhap jo nga burime më të sigurta si CNN apo Reuters që kanë shkruar gjerësisht mbi çfarë po ndodh në Bjellorusi. Lajmi vjen vetëm nga një kanal në Telegram që përfaqësohet si kanal që i përket opozitës bjelloruse. Më pas ai është shpërndarë gjerësisht nëpër portale nëpër botë, duke përfshirë disa portale dhe tabloide. 

Kjo nuk është hera e parë që Rusia ka bërë manovra të paligjshme në Poloni, por ky ka qënë rasti më i rëndë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.  Me hyrjen në hapësirat ajrore polake dhe rumune, Rusia duket se po teston limitet dhe durimin e NATO-s dhe kjo ka shkaktuar shqetësime të shumta si në Poloni dhe në NATO më gjerësisht. “Nuk ka dyshim se nga pikëpamja e Polonisë, ky provokim është, në mënyrë të pakrahasueshmë, më i rrezikshëm se të gjitha provokimet e mëparshme”, tha kryeministri polak Donald Tusk. “Kjo situatë na sjell të gjithëve më afër një konflikti të hapur, më afër se kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore,” ka pranuar ai.