Pretendimi se ushtria ruse ka shkatërruar tanket gjermane Leopard 2AE në Ukrainë është i rremë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se foto që sillet si provë për këtë tregon në të vërtetë një tank të operuar nga ushtria turke në Siri në 2017.

——————————————

Foto e një tanku të shkatërruar Leopard 2AE po qarkullon në rrjet, duke përfshirë edhe hapësirat shqipfolëse, me pretendimin se ka qenë forca e ushtrisë ruse që e ka shkatërruar atë, “në fushat e Ukrainës.”

Lufta në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e saj të dytë dhe ka shkaktuar dëme masive në jetën e mijëra njerëzve, trajtohet nganjëherë në rrjete sociale si të ishte një lojë futbolli, ku grupe të ndryshme bëjnë tifo për Rusinë ose Ukrainën.

Fotoja e mësipërme, siç tregohet nga përshkrimi që e shoqëron dhe komentet që ka marrë, po përdoret nga ‘tifozët’ e Rusisë si dëshmi e madhështisë dhe fuqisë shkatërruese të ushtrisë ruse.

Megjithatë, një kërkim me motorin e kërkimit të imazheve Tineye tregon se foto e mësipërme qarkullon në internet që prej vitit 2017, plot 5 vite para fillimit të luftës në Ukrainë.

“Faktoje” zbuloi se tanku në foto nuk dergjet në fushat e Ukrainës, por në Siri. Ky tank Leopard 2A4, i prodhuar në Gjermani, ‘ra’ në luftë në Siri si pjesë e ushtrisë turke, e cila bleu 298 tanke 2A4 nga Gjermania në vitin 2005. Disa prej tyre u dërguan në Siri në Gusht 2016, si pjesë e ndërhyrjes ushtarake turke në Siri në mbështetje të luftëtarëve të Ushtrisë së Sirisë së Lirë (FSA) kundër forcave të ISIS.
Nuk ekzistojnë ende prova filmike të provuara për shkatërrimin në masë të tankeve gjermane të dhuruara ushtrisë ukrainase ashtu siç pretendohet nga propaganda ruse. Në Qershor 2023, Ministria e Mbrojtjes ruse bëri publike një video ku pretendonte se tregohej shkatërrimi i disa tankeve Leopard 2 në Ukrainë nga ushtria ruse. Megjithatë, thuajse menjëherë, ekspertët ushtarakë vërejtën se automjetet në video përngjasonin më shumë me automjete bujqësore se sa me tanke. Madje, koka e grupit mercenar Wagner Group Yevgeny Prigozhin gjeti rastin për t’u tallur me pretendimin e Ministrisë ruse duke thënë se “nëse gjykojmë duke u bazuar tek lajmërimi i Ministrisë së Mbrojtjes…ne i kemi mposhtur tashmë me kohë të gjitha ushtritë e Europës.”