.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookStudimi mbi 17 milionë viktima nga vaksinimi bazohet në përllogaritje të pasakta

Studimi mbi 17 milionë viktima nga vaksinimi bazohet në përllogaritje të pasakta

Pretendimi se vaksina anti-Covid-19 ka shkaktuar 17 milionë vdekje në mbarë botën është i gabuar. Studimi që citohet nuk është botuar në ndonjë revistë shkencore dhe përmban një numër defektesh në logjikë.

———————————————

Konspiracionistët anti-vaksinë në rrjet po pretendojnë se 17 milionë vdekje janë konfirmuar të jenë shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid.

Postimi i mësipërm citon një studim nga Denis G. Rancourt, Marine Baudin, Joseph Hickey, and Jérémie Mercier botuar më 17 shtator 2023 nga organizata jofitimiprurëse Correlation, në të cilën Rancourt është pjesëtar bordi

Vlen të përmendet se studimi nuk i është nënshtruar procesit të rishikimit kolegial, një proces kyç në fushën shkencore akademike. Kjo është me gjasa edhe arsyeja pse ky studim nuk është botuar në asnjë revistë shkencore, përfshirja në të cilat zakonisht ka si kusht paraprak këtë proces.

Denis Rancourt është një ish-profesor fizike në Universitetin e Ottawa. Ai është gjithashtu anëtar i Pandata, një grup që ka promovuar edhe më parë mohimin e pandemisë Covid-19 dhe ka përhapur keqinformim rreth vaksinave. Rancourt ka pretenduar më parë se pandemia Covid-19 nuk ekziston.

Megjithatë, analiza e kryer nga Rancourt dhe kolegët e tij (apo Rancourt et al) është e çalë, siç do të shpjegohet më poshtë.

Çfarë përmban studimi i Rancourt et al?

Analiza mbi 130 faqe e gjatë dhe e titulluar “Vdekshmëria e lidhur me vaksinën Covid-19 në Hemisferën e Jugut” ka ekzaminuar vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet në 17 shtete. Në të pretendohet se të dhënat e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet nuk tregojnë ndonjë avantazh të ardhur nga vaksinimi kundër Covid-19.

Rritjet e menjëhershme në vdekshmëri përpara vaksinimit, studimi ia atribuon “ndryshimeve të befasishme në protokolle mjekësore dhe institucionale dhe reagimeve qeveritare të lidhura me shpalljen e një pandemie.” Në të pretendohet se këto vdekje “nuk mund të vijnë si pasojë e një sëmundjeje virale të rrugëve të frymëmarrjes që po përhapej globalisht.” Me pak fjalë, studimi mohon faktin se Covid-19 shkaktoi një pandemi.

Më tej, studimi pretendonte se vdekshmëria nga të gjitha shkaqet filloi të rritej vetëm pas nisjes së vaksinimit Covid-19.

Autorët arritën në këtë përfundim duke llogaritur atë çka ata quanin “shkalla e vdekshmërisë së vaksinës për të gjitha moshat (vDFR)”. Ky parametër përllogaritej duke pjesëtuar numrin e “vdekjeve të supozuara të shkaktuara nga vaksinat” me numrin e dozave të vaksinave të administruara në një popullatë.

Një lexim i imtësishëm i studimit tregon se metoda që autorët kanë përdorur për të përcaktuar sasinë e vDFR praktikisht konsistonte në matjen e shtrirjes së vdekshmërisë së tepruar gjatë periudhës së vaksinimit.

Kështu, Rancourt et al arritën në përfundimin se vDFR e përgjithshme për 17 shtetet e analizuara “do të nënkuptonte 17.0 ± 0.5 milionë vdekje nga vaksina Covid-19 në gjithë botën […] Kjo do të korrespondonte me një ngjarje masive jatrogjenike që vrau (0.213 ± 0.006) % të popullsisë së botës (1 vdekje për 470 persona të gjallë, në më pak se 3 vite), dhe nuk parandaloi në mënyrë të matshme ndonjë vdekje.”

Nga kjo përllogaritje duket se ka dalë pretendimi se vaksina anti-Covid ka vrarë 17 milionë njerëz.

Defektet e studimit të Rancourt et al

Studimet në nivel popullate janë relativisht të lehta dhe të shpejta për t’u kryer, duke qenë se të dhënat janë tashmë në dispozicion. Megjithatë, kjo metodë ngre disa probleme. Për shembull, një mangësi e këtij studimi është që autorët nuk tregojnë nëse personat që kanë vdekur ishin vaksinuar apo jo. Kjo sepse të dhënat e tyre për vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet janë të dhëna në nivel popullsie, jo nivel individi.

Përcaktimi që personat e vdekur ishin të vaksinuar duhet të kishte qenë një nga hapat e parë të studimit. Pa pohuar këtë, nuk mund të dalim në përfundime të besueshme se ka një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe vdekjes.

Jeffrey Morris, biostatisticien dhe profesor në Universitetin e Pensilvanisë, ka hedhur dyshime mbi përfundimet e Rancourt et al. Ai vërejti se rritjet e menjëhershme në vdekshmërinë e tepruar linjëzoheshin më afërsisht me rritjet në vdekjet nga Covid-19 se sa me vaksinimin (siç shihet në grafikun e mëposhtëm), por studimi nuk e pranon apo konsideron Covid-19 si shpjegim i mundshëm.

Vdekshmëria e tepruar në 16 nga shtetet e analizuara nga studimi i Rancourt et al. Zonat e ngjyrosura me gri tregojnë vdekjet e tepruara, vija e kuqe tregon numrin e vdekjeve nga Covid-19 për milion njerëz, dhe vija blu tregon numrin e vaksinimeve për 1 mijë njerëz për javë.

Majat e grafikëve të mësipërm, që përfaqësojnë rritjet e menjëhershme të vdekjeve të tepërta, nuk korrespondojnë me vijën blu, që përfaqëson vaksinimet, përveç se në ato vende kur fushatat e vaksinimit ndodhën gjatë rritjeve të rasteve Covid-19.

Ekonomisti Philip Schellekens ka hartuar një numër grafikësh që lidhin nivelin e vaksinimit të popullsisë me vdekshmërinë e tepruar në vende të ndryshme, duke përdorur të dhëna në nivel popullate, njësoj si studimi i Rancourt et al.

Lidhja mes vdekshmërisë së tepruar për 100 mijë njerëz dhe nivelit të vaksinimit të popullsisë (si % e popullsisë).

Në këto grafikë tregohet se vdekshmëria e tepruar nuk ishte më e lartë në vendet me nivel vaksinimi më të lartë krahasuar me vendet me nivel vaksinimi më të ulët. Kjo bie në kundërshti me pretendimin se vaksinat Covid-19 kanë shkaktuar vdekshmërinë e tepruar.

Studimet e botuara në revista akademike shkencore gjithashtu bien në kundërshti me narrativën se vaksinat anti-Covid-19 rrisin rrezikun e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. Një analizë e vdekshmërisë së tepruar mes Qershorit 2021 dhe Mars 2022 gjeti se vdekshmëria e tepërt nga të gjitha shkaqet ishte më e lartë në 10 shtetet me nivel vaksinimi më të ulët se sa në 10 shtetet me nivel vaksinimi më të lartë.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img