Pretendimi: Kjo foto tregon aktorin Sylvester Stallone duke bërë shenjën e shqiponjës me duar për të treguar miqësinë me shqiptarët

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————

Një imazh që duket se tregon aktorin amerikan Sylvester Stallone duke bërë shenjën e shqiponjës me duar po qarkullonrrjete sociale shqipfolëse me mbishkrimin “Sylvester Stallone ‘RAMBO’ miku i shqiptarëve.”

Megjithëse postimet në rrjete sociale lënë të kuptohet se Stallone e ka bërë këtë gjest si shenjë e vlerësimit të tij për shqiptarët, imazhi është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka të bëjë aspak me Shqipërinë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Faktoje gjeti videon nga është shkëputur imazhi i mësipërm.

Stallone e postoi videon origjinale në Instagram në Janar 2018, pak ditë përpara Super Bowl, finalja e kampionatit më të madh të futbollit amerikan të përvitshëm në ShBA.

Në videon e plotë, Stallone shfaqet i veshur me fanellën e skuadrës së futbollit amerikan Philadelphia Eagles (Shqiponjat e Philadelphia) dhe dëgjohet të deklarojë dashurinë e tij historike për skuadrën. 

Përpara se Stallone të bëjë shenjën e shqiponjës, ai dëgjohet të thotë: “Kam optimizmin se zogjtë do të fluturojnë truimfatorë mbi Philly sot.”

Qartazi, Stallone nuk ka bërë shenjën e shqiponjës në nder të Shqipërisë apo shqiptarëve, por në nder të skuadrës së tij të zemrës, Philadelphia Eagles, që kanë simbol shqiponjën.

Pavarësisht se është një personazh imagjinar i krijuar nga Stallone, Rocky Balboa është një ikonë e sportit në qytetin e Philadelphia në ShBA. Rocky dhe qyteti janë bërë sinonim i njëri-tjetrit që nga filmi i parë i vitit 1976, aq shumë sa shkallët në Muzeun e Artit të Philadelphia njihen si “shkallët e Rocky” për shkak të shfaqjes së tyre në film dhe statujës së Rocky që ndodhet në fund të tyre.

Statuja e Rocky në Philadelphia

Duket se mbështetja e Stallone u solli fat Philadelphia Eagles, të cilët në 2018 mposhtën New England Patriots me rezultatin 41–33 për të fituar Super Bowl e tyre të parë.