.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaSportistët radioamatorë, kampionë pa mbështetje

Sportistët radioamatorë, kampionë pa mbështetje

Një grup sportistësh radioamatorë konfirmojnë se pavarësisht arritjeve në garat ndërkombëtare, nuk  morën shpërblimin e premtuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Radioamatorizmi, që ka të bëjë me marrjen dhe transmetimin e sinjaleve të kodit mors, është një sport në mbijetesë, por që specialisët e vlerësojnë të rëndësisëm. MAS e justifikon mohimin e shpërblimit për këtë kategori me argumentin se Sporti i Radioamatorizmit nuk është pjesë e Agjencisë Botërore dhe asaj kombëtare Anti-Doping. Mbështetja për këta sportistë për vitin 2023 është vetëm 150 mijë lekë të reja, shumë që sipas tyre nuk mjafton as për të organizuar një aktivitet kombëtar.

Në janar të vitit 2022, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi shprehu angazhimin për më shumë politika mbështetëse për zhvillimin e sportit.

Ndërsa, në mars të këtij viti, ministrja Kushi deklaroi: “Ne kemi një sistem shpërblimesh për sportistët që është ndër më të mirët në Evropë”.

Një muaj më pas ajo foli për programe dhe mbështetje për sportin: “Kemi një vendim të Këshillit të Ministrave që i shpërblen me dinjitet sportistët tanë dhe trajnerët. Kemi më shumë investime në infrastrukturën sportive”.

Mirëpo, duket se një kategori sportistësh nuk kanë marrë mbështetjen e premtuar nga MAS. Jorgaq Gjoni, sportist radioamator tregon për Faktoje se kanë arritur që të renditen në vendin e pestë në botë në këtë sport, ata nuk kanë marrë asgjë, pavarësisht se ministrja e Arsmit, Evis Kushi u premtoi shpërblim gjatë një takimi të zhvilluar me ta.

 “Në mbledhjen e sportistëve elitarë, ministrja na e dha fjalën: “do u japim shpërblimet, i keni të marra’, por ndodhi që nuk i morëm”, sqaron Jorgaq Gjoni.

Certifikata e vlerësimit për sportistët radioamatorë

Çfarë është radiomatorizmi?

“Sporti i radioamatorizmit ka të bëjë me marrjen dhe transmetimin e sinjaleve të kodit mors. Radiomator është një person që njeh kodin mors, ka një radio transmetuese dhe lidhet me botën. Radioamatorët janë njerëz që në raste emergjencash, kur nuk punon asgjë, asnjë lloj gjëje që ka të bëjë me internet etj, aty hyjmë në punë ne, sepse radiovalët nuk humbasin kurrë”-shpjegon Jorgaq Gjoni.

Në takimin, që u mbajt në Serbi në shtator të këtij viti, morën pjesë 9 radioamatorë nga Shqipëria, të cilët arritën sukses. Mirëpo, sportisti tregon se ata nuk kishin dijeni që ligji ishte ndryshuar në dhjetor të vitit 2021 dhe u duhej një test antidoping për të përfituar shpërblimin.

“Ne nuk e dinim që duhej testi antidoping, sepse Komiteti Olimpik duhet të na kishte thënë. Përgjegjësi i garave të radioamatorëve, i cili ishte te aktiviteti në Serbi në shtator të vitit 2022 tha se do përpiqej që nga Federata Ndërkombëtare IARU të komunikohej zyrtarisht me MAS. Sepse ne nuk mendojmë që testi antidoping ndikon në sportin radioamator, madje ndikon për keq, jo për mirë, pasi ngatërron karakteret. Ne na intereson që të mos jetë fare ky ligj për radioamatorët”, sqaron sportisti.

Jorgaq Gjoni, sportist radioamator

Ai thekson se i janë drejtuar me një kërkesë MAS, ku interesohen në lidhje me shpërblimet e tyre, por kanë marrë këtë përgjigje:

“Kërkesa për shpërblimin e sportistëve elitarë shoqërohet me rezultatin përfundimtar të analizave antidoping. Sporti i Radioamatorizmit nuk është pjesë e Agjencisë Botërore Anti-Doping dhe Organizatës Shqiptare Anti-Doping dhe si rrjedhojë nuk ka kryer teste anti-doping përgjatë vitit 2022, kjo e vërtetuar gjithashtu në materialin e përcjellë nga Federata Shqiptare e Radioamatorizmit”.

Përgjigjia e MAS për Federatën Shqiptare të Radioamatorizmit

Sportistët shprehen se pasioni për sportin i ka detyruar shpesh që të sakrifikojnë, vetëm që ta mbajnë gjallë radioamatorizmin.

“Ne po na vijnë garat sërish dhe i kemi mbuluar vetë shpenzimet tona. Herën e fundit na ka dhënë KOKSH nga 300 euro për person. Duhet të paguajmë hotelin, transportin, ne kemi shkuar me makinë, kemi bërë sakrifica vetëm për ta mbajtur radioamatorizimin gjallë”, shprehet ai.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku e pyetëm në lidhje me procedurat që duhet të ndjekin këta sportistë për t’u bërë pjesë e Agjencisë Botërore Anti-Doping dhe Organizatës Shqiptare Anti-Doping, në mënyrë që të mos penalizohen nëse arrijnë të kenë suksese në aktivitete të tjera. Por, zyrtarisht MAS nuk jep një përgjigje konkrete, ndonëse e kemi ankimuar pranë zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Ministria e Arsimit dhe Sportit i ktheu Faktojes të njëjtën përgjigje që i ka dërguar më herët sportistëve radioamatorë ku jutifikon mosdhënien e shpërblimit me kriterin se radioamatorizmi nuk është pjesë  Agjencisë Botërore Anti-Doping dhe Organizatës Shqiptare Anti doping.

Kërkesa për informacion dërguar MAS, 30 prill 2023

Buxheti për vitin 2023

Përpos mungesës së dëmshpërblimit për triumfin e arritur, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit thonë për Faktoje se për vitin 2023, MAS u ka përcaktuar një fond prej 150 mijë lekësh të reja. Sipas kreut të Federatës, zotit Florian Gjonej, kjo shumë nuk është e mjaftueshme as për të organizuar një aktivitet të thjeshtë kombëtar.

“Është përcaktuar fondi për federatat jo olimpike dhe ne na kanë dhënë 0,15%, ose 150 mijë lekë të reja që ne nuk na dalin as për të organizuar një kampionat kombëtar. Nuk e kanë shkruar as arsyen përse na kanë dhënë kaq pak. 150 mijë lekë për gjithë Federatën, nuk di çfarë të them, është çmenduri. Për të bërë një aktvitet kombëtar duhen minimumi 280 mijë lekë të reja. Kaq para’ po na japin për të paguar taksat e Bashkisë dhe kuotat te KOKSH, sepse nuk i japin për gjë tjetër”, ngre shqetësimin zoti Gjonej.

Nëse shohim faqen online të Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit vemë re një sërë lajmesh dhe fotosh nga aktivitetet të ndryshme ku ata kanë marrë pjesë dhe nga “stërvitjet” e tyre të përditshme, të cilat siç e pranojnë edhe vetë po i përballojnë pa mbështetje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img