BallinaFaktometerE PavërtetëE pavërtetë dhe e ricikluar deklarata e Këlliçit “80 mijë euro në ditë për inceneratorin e Tiranës“

E pavërtetë dhe e ricikluar deklarata e Këlliçit “80 mijë euro në ditë për inceneratorin e Tiranës“

Në takimet zgjedhore me mbështetësit, kandidati për kryetar bashkie të Tiranës i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi artikuloi shifrën 80 mijë euro në ditë si kosto për taksapaguesit nga inceneratori i Tiranës. Nga një verifikim i Faktoje, e njëjta deklaratë është bërë edhe nga ish kryetarja e LSI, sot Partia e Lirisë, Monika Kryemadhi, por llogaritja e bazuar në shifrat zyrtare e rrëzon këtë pretendim. Kostoja mesatare ditore e inceneratorit të Tiranës rezulton rreth 30 – 40 mijë euro dhe jo 80 mijë.

Gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të zonës së Sharrës, Belind Këlliçi, kandidati për kryetar Bashkie i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, u shreh se qytetarëve po u vidhen 80 mijë euro në ditë nga inceneratori i Tiranës.

“Ju nuk e keni idenë në aspektin financiar se çfarë vjedhje ndodh pak metra larg nga ju. 80 mijë euro në ditë vjedhin nga taksat e tua, të mia dhe të gjithë neve këtu! E di çfarë do të thotë 80 mijë euro në ditë?”-deklaroi Këlliçi më 24 prill.

Duke qenë se çështja e inceneratorëve ka një ndjeshmëri dhe ndikim të madh në publik, ne iu drejtuam fillimisht zotit Këlliçi, të cilin e pyetëm se mbi ç’dokument apo të dhëna e bazonte këtë llogaritje të humbjes së parasë publike. Të njëjtën pyetje i drejtuam edhe zëdhënëses së kandidatit Këlliçi, Silvi Bardhi. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje prej tyre.  

Por, sa paguajnë shqiptarët në ditë për inceneratorin e Tiranës? Faktoje iu referua fillimisht kontratës për Inceneratorin e Tiranës në faqen e Atrako. Sipas të dhënave zyrtare, përcaktuar në nenin 7 të kontratës, çmimi është 29 euro për ton mbetje pa TVSH. Me TVSH kjo vlerë shkon në 34.8 euro për ton mbetje.

Screenshot dokumenti ku përcaktohet tarifa

Referuar të njëjtit dokument, sasia minimale e garantuar e mbetjeve urbane në ditë kalendarike përcaktohet në Planbiznesin e detajuar në faqet 26-28 të seksionit 6 “Parashikimi të ardhurave”, aneks i kësaj kontrate.

Screenshot i kontratës koncensionare për Inceneratorin e Tiranës (burimi Atrako)

Bazuar në projeksionet e kontratës, vlera ditore me TVSH që paguhet për depozitimin e mbetjeve urbane të Qarkut të Tiranës është afërsisht 27,840 euro me TVSH (800 ton mbetje x 29 euro për ton x 1.2). Kjo, nëse sasia nuk kalon vlerën prej 800 tonë mbetje të depozituara në ditë dhe çmimi prej 29 euro nuk është indeksuar.

Por nëse do të llogarisim që përtej sasisë minimale të garantuar në kontratën për qarkun Tiranë prej 800 ton mbetje në ditë, edhe 220 ton mbetje në ditë (320.000 tonë/4 vite/365 ditë) që vijnë nga Bashkia e Durrësit, sipas kontratës së saj me Inceneratorin e Tiranës, kostoja ditore shkon në rreth 35.5 mijë euro në ditë me TVSH (1020 ton në ditë x 29 euro për ton x 1.2).

Gjatë verifikimit, Faktoje iu referua edhe shifrave të thesarit, për pagesat e kryera sipas të dhënave të Open Spending.

Bazuar në këto të dhëna, për periudhën Janar 2019 –prill 2023, pagesat totale nga Thesari për subjektin Integrated Energy BV SPV, janë mbi 5,3 miliardë lekë.

Pagesat e Thesarit (burimi Open spending)

Nëse këtë vlerë e ndajmë në ditë (4 vite e rreth 4 muaj janë 1570 ditë) ajo rezulton në rreth 3.4 milionë lekë në ditë ose rreth 30,000 euro në ditë mesatarisht, me kursin valuator aktual.

Në muajin gusht të vitit 2022, Faktoje verifikoi thuajse të njëjtën deklaratë të artikuluar nga ish kryetarja e LSI, sot Partia e Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila rezulton e ricikluar për fushatën e zgjedhjeve vendore edhe kandidati për kryetar të Bashkisë Tiranë të koalicionit “Bashkë fitojmë” Belind Këlliçi.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, deklaratën e zotit Belind Këlliçi do ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img