Pretendimi: Një raketë e mbrojtjes ajrore nga sistemi i mbrojtjes NASAMS, ofruar nga Mbretëria e Bashkuar për Ukrainën, goditi një spital në Kiev.
Verdikti: E paprovuar
——————————————————-
Pas një shpërthimi që vrau të paktën 31 persona në një spital fëmijësh në Kiev më 8 korrik, në rrjet po qarkullon pretendimi se sulmi ishte në fakt një “autogol” ukrainas. Kjo sepse, sipas pretendimeve, raketa e përdorur ishte një raketë e sistemit mbrojtës NASAMS, dhuruar Ukrainës nga Mbretëria e Bashkuar.
Si fillim, duhet saktësuar se sistemi i mbrojtjes NASAMS nuk i është dhuruar Ukrainës nga Mbretëria e Bashkuar, por ShBA dhe Norvegjia.
Ndërkohë, spitali më i madh i fëmijëve në Ukrainë u godit si pjesë e një sulmi gjatë ditës që përfshinte hedhjen e dhjetëra raketave ruse me shënjestër pesë qytete ukrainase.
Shërbimi i Sigurimit i Ukrainës deklaroi në Telegram se kishte gjetur mbetjet e një rakete ruse Kh-101 në vendndjarje, duke përfshirë edhe një numër serial, dhe kishte hapur procedurat për krime lufte.
Mbetjet e gjetura nga shërbimet ukrainase
Raketa Kh-101 është një raketë ajrore që fluturon ulët për të shmangur zbulimin nga radari. Ukraina tha se kishte rrëzuar 11 nga 13 raketat Kh-101 që ishin hedhur më 8 korrik.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi në Telegram se goditjet e tyre shënjestruan bazat ushtarake ukrainase dhe ishin të suksesshme. Megjithatë, ata mohuan të kenë shënjestruar objektet civile dhe pretenduan, pa prova, se imazhet nga Kievi tregojnë se dëmtimi i spitalit ishte shkaktuar nga raketat e mbrojtjes ajrore ukrainase.