EDIT NIKOLLI
Termeti i 26 nëntorit shkatërroi dhe i bëri të pabanueshëm 330 apartamente, që i përkisnin 9 pallateve në territorin e Bashkisë Kavajë, ku përfshihet edhe njësia administrative Golem. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në fund të muajit gusht deklaroi se brenda shtatorit do të niste puna për ndërtimin e pallateve të reja në bashkinë Kavajë, por gjatë verifikimit të Faktoje në terren rezulton se jo vetëm që nuk ka nisur rindërtimi, por në Golem ende nuk janë shembur ato ekzustuesit.
Me 27 gusht Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali deklaroi se “brenda shtatorit do të nisnin punimet për ndërtimin nga e para të pallateve të reja, ku afro 400 familje do të gëzojnë strehen e re”.
Statusi në rrjetin Facebook i Elisa Spiropalit
Më datë 1 tetor “Faktoje” përmes një kërkesë për informacion pyeti Bashkinë Kavajë lidhur me fillimin e ndërtimit të pallateve të reja në Golem, Kavajë, sa është vlera e këtij projekti dhe sa është kohëzgjatja e punimeve.
Edhe pse ka kaluar afati, ndërkohë që ligji 119/2014 “Për të drejtën e informimit” detyron institucionet të kthejnë përgjigje jo më vonë se 10 ditë punë nga marrja në dorëzim e kërkesës, ende nuk kemi përgjigje.
Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Kavajë
“Faktoje” pyeti edhe Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila kishte garantuar nisjen e punimeve për ndërtimin e pallateve në bashkinë Kavajë brenda shtatorit, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje as prej saj.
Në mungesë të këtyre përgjigjeve, ne vendosëm të shkojmë të terren për të verifikuar nëse ka nisur puna për ndërtimin e pallateve në Kavajë dhe në Golem.
Fillimisht shkuam në bashkinë e Kavajës ku pyetëm lidhur me procesin e rindërtimit të pallateve. Aty na u komunikua se punimet nuk kanë filluar ende, por priten të nisin së shpejti. Në bashkinë Kavajë planifikohet të rindërtohen 7 pallate të rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorti 2019.
“Faktoje” shkoi edhe në vendin ku duhej të kishte nisur puna për ngritjen e pallateve në Kavajë, por ashtu siç dëshmohet edhe nga fotot e shkrepura në 14 tetor, gjetëm një sipërfaqe me pellgje të mëdha uji dhe balte, ku ende nuk kishte nisur puna për kanalizimet, ndërsa nisja e pallateve dukej edhe më e largët.
Vendi ku do të ndertohen pallatet në Bashkinë Kavajë
Vendi ku do të ndertohen pallatet në Bashkinë Kavajë
Më pas shkuam në Njësinë Administrative Golem, ku administatori i saj na konfirmoi se në këtë zonë janë dy pallate për t’u rindërtuar. Po sipas këtij konfirmimi dy pallatet ekzistues ende nuk janë shembur dhe pritet që kjo të mos ndodhë para muajit nëntor, kur mbushet një vit nga tërmeti shkatërrimtar.
2 pallatet që priten të ndërtohen në Golem
Ne shkuam në terren aty ku duhet të kishte nisur puna për rindërtimin e pallateve të reja sipas premtimit të zonjës Spiropali, por gjetëm ‘ende në këmbë’ dy ngrehinat e mëparshme.
Edhe më herët gjatë verifikimeve të Faktoje ka rezultuar se procesi i rindërtimit është i vonuar në zonat që pësuan dëmet më të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nga verifikimi i kryer në terren dhe informacionet e grumbulluara, vendosëm që deklaratën e Ministres se Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali se brenda shtatorit do fillojnë punimet për ndërtimin e pallateve të reja në Golem, Kavajë ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.