Lajmi për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e ish-zv.kryeministri Arben Ahmetajt rezulton i pavërtetë. Faktoje vërtetoi se deri tani Prokuroria Speciale Antikorrupsion nuk ka dërguar në Kuvend asnjë kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj.
Jona Plumbi
“Arrestimi i Arben Ahmetajt çështje orësh, SPAK gati kërkesën për t’i kërkuar Kuvendit autorizimin që çon në pranga ish-zv/kryeministrin”. Ky ishte titulli i artikullit të publikuar nga sot.com.al në datën 11 Mars.
Dy ditë më vonë, në 13 Mars një tjetër media paralajmëroi prangosjen e afërt të ish-zv.kryeministrit Ahmetaj. “Burime të Alfapress.al pranë Gjykatës së Posaçme, kanë deklaruar se arrestimi i ish-ministrit dhe deputetit Arben Ahmetaj është çështje orësh. Mësohet se SPAK ka nisur shkresën drejt Kuvendit për të kërkuar “leje” të menjëherëshme për ti hapur rrugë prangosjes së ish- bashkëpunëtorit më të ngushtë të kryeministrit Rama.”
Kështu nis artikulli i publikuar nga AlfaPress që njoftonte arrestimin e Ahmetajt.
Duke qënë se Ahmetaj është deputet, praktika shtetërore kërkon që prokuroria t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit, në mënyrë që të ketë mundësi të ushtrojë plotësisht veprimtaritë e saj hetimore si kërkimi në shtëpinë e tij personale apo edhe ndalimi apo arrestimi.
Pikërisht këtë kërkesë njofton AlfaPress se i ka shkuar Kuvendit dhe se “pritet vetëm protokollimi i kërkesës”.
Nisur nga këto informacione “Faktoje” vendosi të kërkojë informacion pranë institucioneve zyrtare të përfshira në lajm. Faktoje dërgoi dy kërkesa për informacion, njërën Kryesisë së Kuvendit dhe një tjetër drejtuar SPAK-ut, ku pyeti lidhur me ekzistencën apo jo të një kërkese dërguar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj.
Në përgjigjen zyrtare, Kryesia e Kuvendit informoi se “pranë Kuvendit të Shqipërisë, deri në këtë moment (24 Mars) nuk ka mbërritur një kërkesë nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj.”
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk ka kthyer përgjigje mbi kërkesën tonë deri në publikimin e këtij artikulli.
Mediat kanë njoftuar se SPAK ka hapur hetim ndaj deputetit Arben Ahmetaj në datën 21 Mars, pasi Byroja Kombëtare e Hetimit ushtroi kontrolle në banesat e ish-gruas dhe bashkëjetueses aktuale të tij.
Avokati Ardian Visha, i cili përfaqëson Arben Ahmetajn, konfirmoi për “Faktoje” nisjen e hetimeve ndaj deputetit nga SPAK. Megjithatë, z.Visha rikujton se kontrollet në banesat e familjarëve të Ahmetaj u kryen pa një kërkesë zyrtare në Kuvend duke përbërë një shkelje të imunitetit të garantuar për deputetët.
Lajmet që bazohen mbi burime anonime shpesh abuzohen nga mediat online, të cilat njoftojnë ndodhi të bujshme, pa patur kujdesin e duhur dhe duke i raportuar ato si të vërteta. Kjo shpesh shkakton keqinformim tek lexuesit, të cilët mund të marrin për të mirëqënë një informacion të paverifikuar.