Pretendimi: Nëse plotëson formularin në këtë faqe, mund të marrësh një çantë shpine The Nоrth Fаcе Borealis pothuajse falas 

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

——————————————

Një llogari në Facebook pretendon se përdoruesit mund të përfitojnë një çantë të markës “The North Face” pothuajse falas nëse plotësojnë një formular.

Postimi pretendon se një punonjës i kompanisë Balkan Sport, pas pushimit nga puna, ka vendosur të zbulojë skemën që mund të ofrojë një produkt kaq cilësor nga magazinat e dyqanit përmes formularëve të fshehtë.

Në realitet, kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi. 

Profili jep një link në komente ku duhet të plotësoni një anketë për t’u kualifikuar, por faqja nuk ka të bëjë fare me kompaninë Balkan Sport. 

Në komente, ka disa përdorues që thonë se janë të habitur që kanë përfituar nga kjo super mundësi. Këto komente janë pjesë e mashtrimit.

Nëse vërejmë historinë e ndryshimeve të postimit, vërejmë se në një version të mëparshëm ai pretendonte se vetë profili që e ka postuar kishte punuar në Balkan Sport. Më pas, postimi është ndryshuar për të pretenduar se burri i profilit kishte punuar në dyqan.

Më tej, profili që ka bërë postimin është shumë i ri, i krijuar më 1 gusht. Me gjasa, ai është një profil i rremë, i krijuar vetëm për t’i shërbyer kësaj skeme mashtrimi.

Më tej, duke përdorur motorin e kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i çantës që shoqëron postimin shfaqet në versione të ndryshme në rrjet, në postime të ngjashme me atë të mësipërmin, por në gjuhë të ndryshme, dhe duke përdorur emrin e dyqanevendryshme.

Këto postime janë njësoj skema mashtrimi të krijuara për të shënjestruar grupe të ndryshme përdoruesish që mund të dërgojnë para në adresa personale me mendimin se po bëjnë një blerje të leverdisshme.