Pretendimi: Leonora Jakupi dhuron 10 mije euro për këdo që arrin të plotësojë në mënyrë perfekte foton
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
———————————————————
Një postim nga faqja “𝐋𝐞𝐨𝐧𝒐𝐫𝒂 𝐉𝐚𝐤𝒖𝐩𝐢𝒊 𝐅𝐚𝐧𝐬•” që është parë mbi 45 mijë herë në Facebook duket se tregon një foto të këngëtares kosovare me mbishkrimin “Unë do të dhuroj 10,000 € Kush arriti të bëjë në mënyrë perfekte foton më poshtë.”
Ideja e lojës është që përdoruesit që ‘arrijnë’ të ndalojnë videon e sipërme në momentin kur rrethi me flamurin shqiptar të jetë plotësisht mbi rrethin e zi do të marrin 10 mijë euro nga Leonora Jakupi.
Megjithatë, nëse komentojmë çfarëdolloj fjale në këtë postim, faqja na dërgon një mesazh personal duke na falenderuar dhe pyetur në cilin qytet jetojmë.
Më pas, na dërgon një mesazh automatik që kushtëzon marrjen e çmimit me shpërndarjen e postimit në 5-10 grupe brenda 15 minutash. Kjo paçka se, fillimisht, i vetmi kusht për të marrë çmimin ishte “të bëjë në mënyrë perfekte foton.”
Këto përshkallëzime të kushteve për marrjen e çmimit duhet të bëjnë lexuesin skeptik të heqë dorë nga çmimi, duke dyshuar tashmë edhe në ekzistencën e tij.
Me gjasa kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi.
Faqja zyrtare e këngëtares Leonora Jakupi ka mbi 200 mijë ndjekës dhe nuk ka bërë asnjë postim, ku ofron shpërblime për ndjekësit.
Faktoje ka verifikuar dhe më parë skema të tilla mashtrimi që përdornin imazhin e këngëtares Leonora Jakupi dhe personalitetesh të tjera të politikës dhe artit që njihen gjerësisht në hapësirat shqiptare.